Ndërlidhjet

Kosovë: Zhbogar i zhgënjyer me debatin për rastin gjyqësor


Samuel Zhbogar
Samuel Zhbogar
Samuel Zhbogar, shef i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, është shprehur i shqetësuar dhe i zhgënjyer me debatin e sotëm parlamentar, lidhur me të ashtuquajturin rastin “Kiçina”.

"Unë besoj se janë përdorur të gjitha rrugët ligjore dhe se kjo çështje konsiderohet e mbyllur. Në raste të tilla, Kuvendi duhet të mos angazhohet në asnjë veprim, i cili mund të interpretohej si përpjekje për të ndikuar ose përmbysur ndonjë vendim gjyqësor, si dhe përpjekje për të influencuar perceptimin e gjykatësve për pavarësinë e tyre në raste të tjera në të ardhmen”, tha Samuel Zhbogar, njofton Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Mëtutje ai ka theksuar se “një debat parlamentar për një proces gjyqësor i cili është shqyrtuar në mënyrë të hollësishme, nga interpretimi evropian i sundimit të ligjit, konsiderohet si ndërhyrje politike në gjyqësor, madje edhe më tepër kur Kuvendi shqyrton themelimin e një komisioni “ad-hoc” për rishikimin e kësaj çështjeje, apo e shqyrton mundësinë që t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ta rihapë rastin”.

Zoti Zhbogar ka theksuar se dëshiron të përsërit “se duhet të ketë dallim të qartë në mes të autoritetit gjyqësor, ekzekutiv dhe atij legjislativ. Ky dallim parashtrohet në Nenin 4 të Kushtetutës së Kosovës, i cili thotë që parimi i ndarjes së pushteteve është i një rëndësie primare. Prandaj unë jam i zhgënjyer me vetë debatin por edhe më tepër i shqetësuar për çka duket si keqkuptim i parimit fundamental të sundimit të ligjit në cilëndo demokraci funksionale."
XS
SM
MD
LG