Ndërlidhjet

Çitaku: Uashingtoni e Brukseli reflektojnë si Prishtina


Vlora Çitaku
Vlora Çitaku

Prishtina dhe Brukseli janë në të njëjtin pozicion, dhe ne presim që Beogradi të reflektojëdhe të pranojë marrëveshjen, e cila është në dobi të Prishtinës, të Beogradit dhe të së ardhmes evropiane të rajonit, thotë për Radion Evropa e Lirë, ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku.


RADIO EVROPA E LIRË
Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është zhvilluar të premten debati i radhës për Kosovën, ku ende ka dallime mes palëve. Kurse, kemi edhe dialogun në Bruksel, i cili nuk është se po sjell rezultate?! Na thoni ju lutem se çka duhet pritur?

VLORA ÇITAKU
Është jashtëzakonisht e rëndësishme të potencohet se Kosova është e gatshme për marrëveshje, realisht ne kemi qenë të gatshëm për marrëveshje qysh nga 4 marsi, mirëpo është pala tjetër, është Serbia, ajo e cila nuk është ende në gjendje të kuptojë se realiteti ka ndryshuar, dhe marrëveshja në Bruksel nuk mund të reflektojë asgjë tjetër, përveç realitetit që e kemi tani - Kosovën e pavarur dhe sovrane.

Normalisht, që është proces i vështirë, normalisht që është proces shumë sfidues, është proces, i cili qoftë në opinionin publik në Serbi, apo në Kosovë, është përcjellë shpeshherë me shumë pikëpyetje, me shumë paqartësi, por është e rëndësishme që të potencohet se çfarëdo lloj marrëveshjeje të arrihet, do të jetë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ne kemi bërë ofertën tonë. Oferta jonë është substanca e Pakos gjithëpërfshirëse të presidentit Ahtisaari. Është e qartë që pala tjetër, përkatësisht Beogradi ka shqetësime, sepse sigurisht që kanë pritur shumë më shumë.

Fillimisht, kanë pasur projektin e ndarjes, pastaj projektin e krijimit të Republika Srpskas në Kosovë, pastaj projektin e krijimit të një nivelit të tretë të pushtetit. Por, për fat të mirë, edhe BE-ja, edhe SHBA-ja, edhe vendet kyçe anëtare të BE-së, e kanë refuzuar një platformë të tillë. Andaj, pozicioni i Kosovës dhe ai i BE-së në këtë fazë është identik.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa jeni të sigurt se Prishtina nuk do të zmbrapset nga qëndrimi i saj?

VLORA ÇITAKU
Po e ripërsëris. Ne qysh nga 4 marsi, kemi qenë të gatshëm për marrëveshje. Pala kosovare është në konsultim të vazhdueshëm me partnerët kyç ndërkombëtarë. Dhe, unë dua të them hapur që nuk jemi palë të kundërta.

Përkundrazi Prishtina dhe Brukseli janë në të njëjtin pozicion, dhe ne presim që Beogradi të reflektojë, t’i kthehet realitetit, dhe të pranojë marrëveshjen, e cila në fund të fundit është në dobi të Prishtinës, është në dobi të Beogradit dhe është në dobi të së ardhmes evropiane të rajonit.


RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se Beogradi duhet të pranojë marrëveshje...ose përndryshe çka do të ndodhë?

VLORA ÇITAKU
Ne nuk jemi ata, të cilët i takojmë kushtet dhe ndëshkimit që do të pasojë, por është e rëndësishme për të ardhmen evropiane të tërë rajonit. Beogradi nuk mund të ketë dy qasje kontradiktore. Një qasje pro-evropiane karshi Brukselit, dhe një qasje tërësisht anti-evropiane karshi Kosovës. Esenca e këtij procesi është që Beogradi, përkatësisht Serbia të detyrohet, të sillet në mënyrë evropiane me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Të detyrohet?

VLORA ÇITAKU
Po normalisht, sepse ky është një proces, i cili është orkestruar, dizajnuar, dhe formësuar nga ana e BE-së për të përmbyllur njëherë e përgjithmonë një kapitull të errët të historisë.
XS
SM
MD
LG