Ndërlidhjet

Shqipëri: "Çmimi" i gruas në politikë


Ilustrim
Ilustrim
Në Shqipëri gratë përbëjnë rreth 15 % të parlamentit.

Kjo është një kuotë shumë e ulët krahasuar edhe me shumë vende të rajonit.

Partitë e mëdha u duket sikur u dhanë një dorë rritjes së pjesëmarrjes së grave në kuvend, me ndryshimet që i bënë kodit zgjedhor, por leximi me detaje i të dy varianteve të ligjit, si ishte dhe si behët, dëshmon të kundërtën.

Nëse më parë KQZ kishte të drejtën të refuzonte një listë kandidatësh për deputetë ku nuk garantohej pjesëmarrja prej 30% grave, sot partitë nëse nuk e bëjnë këtë marrin thjesht një gjobë financiare.

Suela Kusi, pjesë e grupit që ka punuar për realizimin e një vëzhgimi mbi pjesëmarrjen e grave në politikë, në bashkëpunim me zyrën e Kombeve të Bashkuara në Tiranë, thotë se me këtë ndryshim, u hodhën hapa prapa, ndryshe nga sa pritej.

"Duket sikur lidhur me kuotën gjinore legjislacioni i ri ka sjellë përmirësime por në fakt kemi një hap mbrapa, mbasi kodi i ri jep si sanksion vetëm vendosjen e gjobave për partitë politike që nuk respektojnë kriteret e kuotës gjinore, në krahasim me kodin e vjetër, i cili si sanksion kishte mos regjistrimin e tyre”, shprehet Kusi.

Ndryshimi, siç thotë Mesila Doda, deputete e Partisë Demokratike, nuk jep garanci për rritje të pjesëmarrjes së grave në Kuvend.

"Forca jonë politike ka qenë që në fillim për respektimin e të ashtuquajturës listë në të cilën një në tre duhet të ishte grua, më pas për fat të keq pamë që në një kompromis të momentin të fundit rregullat ndryshuan dhe tashmë rrezikon që gratë të jenë në atë përqindje që ne mendonim", thotë Doda.

Gjoba në kod edhe pse shkon në 1 milion lekë (të reja), për Dodën në vetvete është një formë diskriminimi.

"Nuk mendoj se një grua duhet të ketë çmim! Mbi të gjitha është një fyerje njerëzore. Në fund fare është një vend që i takon, duhet të jetë e përfaqësuar, ne jemi në fund të fundit 48% e popullsisë", thekson ajo.

Deputetja socialiste Eglantina Gjermeni, gjithashtu e shesh si sfidë të fortë rritjen e përfaqësimit të grave në kuvend.

"Mendoj që sanksionet duhet të jenë të forta, por mendoj në radhë të parë që partitë politike duhet të ndërgjegjësohen që cilësia e përfaqësimit dhe sasia e përfaqësimit nuk lidhet thjesht me numra por lidhet me faktin që gjysma e popullsisë mbetet e pa përfaqësuar. Është një sfidë e madhe! Skepticizëm nga burrat ka pasur historikisht dhe do të vazhdojë të ketë", thotë Gjermeni.

Megjithatë, Gjermeni beson te vullneti i partisë ku bën pjesë se do të përmbushë kriterin që parashikon ligji për përfaqësimin e gruas.

“Po punojmë fort që vërtet të përfaqësojnë jo më pak se 30% në listat e kandidatëve për deputet, mundësisht në listat fituese".

Për Dodën, aleanca e grave pa dallime partiake i jep zgjidhje të qëndrueshme këtij problemi.

“Gratë në Shqipëri kanë marrë të drejtën e votës 70 vjet përpara grave në Zvicër, 25 vjet përpara atyre në Francë. Si ka mundësi që në këto momente në të cilat ne duhet të ishin në një numër shumë më të madh në parlament, në këto momente ne gjendemi në pozita të pafavorshme. Sigurisht sepse janë ende burrat që vendosin".

"Kjo do të thotë që ne kemi nevojë për një lobim intrapartiak, pra duhet që të gjitha gratë, e të gjitha forcave politike, të fillojmë të kuptojmë që kjo duhet të jetë një aleancë gjinore, midis të gjitha forcave politike", bën të ditur Doda.

Vëzhgimi hedh dritë mbi një fakt interesant, rritjen e grave që mbështesin gratë në politike.

Suela Kusi ndalet te disa aspekte që e kanë sjell këtë zhvillim.

"Opinioni i sheh ato si më të lidhura me çështjet sociale më të lidhura me problemet e komuniteti dhe më të zonjat për të përmbushur disa kritere të domosdoshme për nivele të vendimmarrjes. Për herë të parë në këtë raport rritet dëshira e opinionit publik për t’i parë gratë edhe në nivele të larta drejtuese".

Por aty ku dukshëm politika është domen i burrave, forcimi i ligjit është hapi i vetëm për të garantuar përfaqësimin e duhur të grave.

Kusi thotë se shpreson në një reflektim të ri mbi ligjin zgjedhor.

"Shpresoj që në të ardhmen e afërt të ketë një nevojë për rishikim të kodit zgjedhor mbasi në vitin 2012 Këshilli i Evropës miratoi një rezolutë ku parashikon një minimum të mundshëm mbi pjesëmarrjen e grave në politike për vendet anëtare prej 40%", thekson Kusi.
XS
SM
MD
LG