Ndërlidhjet

Arrihet marrëveshje për krizën në Qipro

  • RFE /RL

Qeveria e Qipros dhe huadhënësit ndërkombëtarë kanë arritur marrëveshje për një paketë të ndihmës, në vlerë prej 10 miliardë eurosh.

Marrëveshja, e bërë publike sot në Bruksel, pritet të çojë në mbylljen e bankave të dyta më të mëdha të Qipros.

Ajo po ashtu pritet të shkaktojë humbje të rënda te depozituesit e pasiguruar, përfshirë rusët e pasur.

Qiproja ka pasur sot afatin e fundit për të arritur marrëveshje - në të kundërtën, do të përballej me ndërprerjen e financimit nga Banka Qendrore Evropiane. Kjo lëvizje do të detyronte qeverinë të shpallte falimentimin dhe mund të çonte në largimin e mundshëm të Qipros nga Eurozona.

Në konferencën për media në Bruksel, ministri qipriot i Financave, Michalis Sarris, ka thënë se marrëveshja i jep fund një periudhe të pasigurisë, por jo edhe vështirësive të vendit.

“Nuk mendoj se ka njeri që mohon se populli i Qipros do të duhet të kalojë nëpër disa kohë të vështira dhe të vuajë pasojat e një periudhe të zgjatur, në të cilën janë marrë vendime të gabuara”, ka thënë Sarris.

Huadhënësit kanë kërkuar që Qiproja të nxjerrë 5.8 miliardë euro nga sektori i saj bankar, për të siguruar kredinë.

Sipas marrëveshjes, depozituesit me më shumë se 100,000 euro në bankën e dytë më të madhe të vendit, Laiki, do të humbasin një sasi të papërcaktuar të parave të tyre.

“Dua të theksoj se asnjë prej këtyre masave nuk do të prekë depozitat nën 100,000 euro. Nuk duhet të ketë dyshime rreth kësaj”, ka thënë kryetari i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, në konferencën për gazetarë në Bruksel.

Zyrtarët thonë se Qiproja pritet të marrë fondet e para të ndihmës në muajin maj.

Komisionari evropian për çështje ekonomike, Olli Rehn, ka folur po ashtu para gazetarëve:

“Është e qartë se thellësia krizës financiare në Qipro do të thotë se e ardhmja e afërt do të jetë shumë e vështirë për vendin dhe popullin e tij. Komisioni Evropian do të bëjë gjithçka të mundur për të lehtësuar pasojat sociale të kësaj goditjeje ekonomike”.

Bankat e Qipros kanë qenë të mbyllura në dhjetë ditët e fundit, derisa zyrtarët qeveritarë dhe huadhënësit ndërkombëtarë të Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë bërë përpjekje të gjejnë zgjidhje për krizën.

Banka Qendrore e Qipros të dielën ka vendosur një limit për tërheqje deri në 100 euro në ditë në makinat automatike të dy bankave më të mëdha, për të parandaluar tërheqjen masive nga depozituesit.

Bankat do të rihapen të martën.

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, ka thënë se marrëveshja siguron “një plan gjithëpërfshirës dhe të besueshëm për t’u përballur me sfidat ekonomike” të Qipros.(v.tela)
XS
SM
MD
LG