Ndërlidhjet

Bostoni ngadalë i kthehet normalitetit


Tetë ditë pas sulmit terrorist në Boston, banorët po bëjnë përpjekje për vazhdimin e jetës së tyre në qytetin, ku barrikadat metalike ende e bllokojnë hyrjen në qendër, ku ka ndodhur tragjedia.

Megjithatë, mund të thuhet se jeta dalëngadalë po i kthehet normalitetit.

Sulmi më 15 prill, nga i cili ishin vrarë tre vetë dhe plagosur më se 280 të tjerë, e ka shokuar këtë qytet, pasi siç tha një taksist, “është menduar se terrorizmi ndodhë diku tjetër”.

Për të parën herë pas 15 prillit, trafiku është zhvilluar në rrugën Boylston, por rruga kryesore ku ishte mbajtur maratona dhe ku kishin ndodhur shpërthimet, ende është e mbyllur për makina dhe këmbësorë.

Bulevardi dukej krejtësisht i zbrazët.

Banorja e Bostonit, Ellen McCarthy, i tha Radios Evropa e Lirë se “është shumë sureale, është gjithnjë një hapësirë aktive e jetës këtu”.

Ajo kishte dalë gjatë pushimit të drekës për ta vizituar memorialin për viktimat, i cili ishte ngritur javën e kaluar në këndin e rrugëve Boylston dhe Berkeley.

Ellen McCarthy thotë se ajo e ka vizituar këtë vend prej se njerëzit kishin vendosur aty lule, porosi të shkruara , fotografi dhe gjëra të tjera, së bashku me mesazhe për dashuri dhe mbështetje.

Është e pazakonshme të punohet këtu për shkak se zakonisht rruga është aktive dhe ne ecim poshtë e lartë gjatë ditës kur kemi pushim. Unë punoj për kompaninë financiare John Hancock dhe ajo ishte njëra nga mbështetëset më të mëdha të maratonës, prandaj ne kemi shumë njerëz në punë, që janë prekur nga sulmet. Disa kolegë të mi janë plagosur, prandaj ne vijmë këtu çdo ditë për të përkujtuar se çka ka ndodhur dhe për të bërë nderime”, thotë Ellen McCarthy.

Ajo i përshkruan rrugët, në ditët menjëherë pas sulmeve, si “plotë me njerëz me rroba të bardha që punonin në skenën e krimit”.

Por, tash, sipas saj gjërat përfundimisht po i kthehen normales.

“Ju nuk mund të vozisni këtu, ju mund të lëvizni në këtë drejtim, por tash jo. Ishte krejtësisht e bllokuar. Prandaj dalëngadalë po kthehet prapa në normalitet. Por nuk dihet se kur do kthehet gjendja si përpara”, tha Ellen McCarthy.

Banori tjetër me emrin Jim, duke mos na e treguar mbiemrin, tregonte në tri kryqe të bardha me emrat dhe fotografitë e atyre që u vranë gjatë eksplodimeve.

Është pikëlluese, bukuria është në këtë memorial. Është një humbje aq e panevojshme kur ju vetëm i shikoni këto tri fotografi”, tha banori Jim.

Sikur Ellena, edhe ai e kishte vizituar memorialin disa herë gjatë ditëve të fundit.

I pyetur nëse qyteti po i kthehet normalitetit, Jim përgjigjet:

Pak, por çdokush ndjenë se diçka nuk është në rregull dhe ndoshta kur ata të fillojnë t’i relaksojnë barrierat, në mënyrë që këmbësorët dhe punëtorët të mund të kthehen në atë hapërisë, ju mund ta shihni ndonjë ndryshim, ndërsa me kohën e mirë do të vinin më tepër njerëz”.

Zyrtarët e qytetit ende nuk kanë shpallur se kur kjo hapësirë do të hapet për publikun.

Çdokund në qytet, shenjat e tragjedisë, që ka ndodhur, ende janë të freskëta.

Në autobusët e qyteteve shihen mbishkrimet “Bostoni i fortë”, ndërsa në dritare shihen mbishkrimet “Ne jemi Boston” apo “Bostoni nuk zhytet”.

Ka prani të madhe të policisë në disa hapësira. (f. b.)

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG