Ndërlidhjet

Shqipëri: Hiperbolat ekonomike në zgjedhje


Ilustrim
Ilustrim
Ekspertët e ekonomisë në Shqipëri lexojnë doza të forta subjektivizmi në premtimet elektorale të partive politike.

Premtime që shpesh nuk lexojnë realitetin ekonomik të vendit ose qëllimisht e anashkalojnë atë.

Ndër premtime mund të gjesh dhe nga ato realiste, thotë Enea Janko, por kur bëhet fjalë për 250 mijë apo 300 mijë vende të reja pune në katër vjet, situata është krejt ndryshe.

"Unë shikoj realizëm me pak hiperbolizim kur vjen fjala për hapjen e vendeve te reja të punës po të kemi parasysh situatën ekonomike në të cilën ndodhet Shqipëria. Jemi në një krizë të plotë ekonomike!", shprehet Janko.

Partitë garojnë me shifra për vende të reja pune, me premtime për lehtësira fiskale, dikush premton ulje dhe një tjetër heqje totale të një apo disa detyrimeve për biznesin.

Eksperti i ekonomisë Adrian Civici, thotë se politika po kalon çdo limit me premtimet e saj kur di që buxhetet e 2 apo 3 viteve të fundit, kanë vuajtur nga mungesa e realizimit të planit të të ardhurave.

"Si ka mundësi që gjithë këto premtime të natyrës ekonomike, mbështetëse për shërbime të ndryshme, shërbimin shëndetësor, arsimor apo të gjitha rregullimet që merr përsipër shteti për t’i bërë, do të bëhen në kushtet nga njëra anë të një borxhi publik mbi 60%".

"Jo vetëm s’mund të rritet por duhet të zvogëlohet, dhe nga ana tjetër në kushtet e një buxheti që do të rezultojë më i reduktuar si pasojë e gjithë këtyre premtimeve për uljen e taksave?!Unë mendoj që premtimi më realist në Shqipëri është vetë të qenit realist pra pranimi që ne jemi në situatë të vështirë të financave publike", thotë Civici.

Janko ndalet dhe në një tjetër grup premtimesh që gjithashtu sipas tij nuk reflektojnë realitetin.

"Kemi premtime për ulje të taksave apo tatimeve apo rritje të granteve për fermerët apo grupe të tjera të biznesit, të cilat në një farë mënyre janë bërë paksa kaotike. Sidomos qeveria e cila e njeh shumë më mirë gjendjen ekonomike, gjendjen e biznesit, duhet të jetë paksa më e matur në të gjitha këto premtime", thekson Janko.

Adrian Civici propozon disa drejtime kryesore ku mund të fokusohen partitë me programet e tyre.

"Stabilizimi i financave publike, duke qenë sa më realist në premtime. Strategji të qarta dhe reale për sa i përket rritjes së vendeve të punës, natyrisht shifrat 250 mijë 300 mijë janë shumë të dëshiruara të ndodhin në Shqipëri por mendoj shumë të vështira pa dy elementë të rëndësishëm të reformave strukturore dhe mbi të gjitha gjetja e të gjitha mënyrave dhe burimeve për financimin e ekonomisë", thotë ai.

Janko thekson nevojën e mbështetjes së sipërmarrjeve të reja.

"Kemi 95% të biznesit që janë sipërmarrje të vogla për të cilat nuk është menduar siç duhet në këto 10 apo 15 vitet e fundit. Politikat publike duhet të orientohen më tepër nga programe ekonomike financiare që mbështesin sipërmarrjet e reja sidomos sipërmarrjet rinore".

Por me gjithë dozën e subjektivizimit që përçojnë shumë prej premtimeve në fushatë, ekspertët nënvizojnë si aspekt mjaft pozitiv të saj reflektimin në programet politike të partive të mëdha të kërkesave të biznesit.

Po aq pozitiv shihet dhe fakti që gjithnjë e më shumë flitet mbi nevojën e nxitjes së prodhimit si një diskutim i imponuar prej krizën financiare që ka prekur vendet e rajonin dhe Evropës.
XS
SM
MD
LG