Ndërlidhjet

Kosova vazhdon bashkëpunimin me SHBA-në në anti-terrorizëm


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin mbi terrorizmin për vitin 2012. Raporti vë në pah se, ngjashëm me vitet e fundit, më shumë se gjysma e sulmeve terroriste (55%) kanë ndodhur vetëm në tre vende: Pakistan, Irak dhe Afganistan.

Në pjesën për Kosovën, raporti thekson se Qeveria në Prishtinë ka vazhduar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në çështjet që lidhen me kundërterrorizmin dhe se ka shënuar disa përparime në këtë drejtim.

Raporti, megjithatë, vë në dukje se situata politike dhe e sigurisë në veriun e Kosovës ka vazhduar të kufizojë aftësinë e qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj në atë pjesë, ku KFOR-i dhe EULEX-i janë përgjegjës për ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt, si dhe për forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, përfshirë edhe në kufij.

Raporti kujton se, në dhjetor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e marrëveshjes së arritur në muajin shkurt me Serbinë, për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM). Me mbështetjen e zyrtarëve të EULEX-it, Kosova dhe Serbia, deri në fund të 2012-ës, kanë hapur katër pikëkalime që do të menaxhoheshin bashkërisht.

Por, sipas raportit, me gjithë zbatimin e IBM-së dhe themelimin e katër pikave të përbashkëta kufitare, pjesa më e madhe e tregtisë në veri të Kosovës përdor rrugët anësore, të cilat anashkalojnë postblloqet zyrtare.

KFOR-i dhe EULEX-i janë të kufizuar në aftësitë e tyre për të mbyllur kalimet ilegale në Kosovë, të cilat bëjnë që mallrat t’iu shmangen kontrolleve kufitare dhe doganore. Për pasojë, kufiri mbetet poroz dhe trafikimi i njerëzve dhe mallrave është i përhapur”, thuhet në raport.

I njëjti thekson se programet amerikane të trajnimit kanë vazhduar të përmirësojnë aftësitë e Autoritetit Doganor të Kosovës dhe të Policisë Kufitare të Kosovës, për të kontrolluar kufijtë dhe për të zbuluar dhe ndaluar armë dhe kontrabanda të tjera në pikat kufitare.

Raporti kujton se Kuvendi i Kosovës ka miratuar Kodin e ri Penal dhe Kodin e Procedurës Penale në dhjetor të vitit 2012. Ligjet e reja, të cilat kanë hyrë në fuqi më 1 janar, 2013, ruajnë modelin e Kombeve të Bashkuara në legjislacionin penal kundër terrorizmit.

Kodi Penal rrit ndëshkimin për krimet që lidhen me terrorizmin; lejon ndjekjen e terroristëve, edhe nëse sulmi i planifikuar terrorist nuk është ekzekutuar. Kodi i Procedurës Penale, ndërkaq, u lejon autoriteteve të Kosovës fleksibilitet më të madh për të hetuar veprat penale në fazat e planifikimit, me qëllim parandalimin e krimeve dhe akteve terroriste.

Në muajin dhjetor, vijon raporti, Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar disa ndryshime në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, të cilat forcojnë legjislacionin e miratuar në vitin 2010.

“Nëse miratohen amendamentet, ato do të ndihmojnë Kosovën që të zbatojë plotësisht standardet ndërkombëtare kundër pastrimit të parave dhe kundër financimit të terrorizmit”, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit. (v.tela)
XS
SM
MD
LG