Ndërlidhjet

Prishtina dhe Beogradi - bisedime për ndryshimet ligjore


Ilustrim
Ilustrim
Delegacionet nga Kosova dhe Serbia, pritet të fillojnë të mërkurën një raund të ri negociatash në Bruksel, ku një nga temat do të jetë edhe çështja e ndryshimeve ligjore që implikon zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit.

Aktualisht, Prishtina zyrtare thotë se nuk dihet se sa ligje do të mund të implikonte zbatimi i marrëveshjes, përderisa në Beograd thonë se Kosova do të detyrohet të ndryshojë shumë ligje.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet numri i saktë i këtyre ligjeve. Por, sipas tij, Kosova ka ligje tejet fleksibile të cilat mund të jenë të zbatueshme edhe në rastin e implementimit të marrëveshjes.

“Grupet punuese do të udhëtojnë sot (e marte) për në Bruksel dhe dy ditët e ardhshme do ta definojnë edhe më qartë edhe pozicionin e ndryshimeve që duhet të jenë, por edhe pozicionet tjera që janë me rëndësi në implementimin e marrëveshjes".

"Kosova ka pasur dhe ka ligje fleksibile të mjaftueshme edhe për implementimin e marrëveshje. Kryesorja është që ne do t’i marrim obligimet për zbatim, ndërsa të tjerat janë çështje që do t’i diskutojmë”, ka thënë Kuçi.

Ndërkohë, edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se grupi punues do të jetë ai i cili do të identifikojë ligjet për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

Sipas tij, Kosova është ajo që do të duhet të ndryshojë shumicën e ligjeve për të zbatuar këtë marrëveshje.

Sa i përket Serbisë, ai ka thënë se baza ligjore e zbatimit të marrëveshjes do të vendoset me miratimin e ligjit kushtetues.

“Kur është në pyetje Serbia, ne planifikojmë të hartojmë ligjin kushtetues me të cilin gjithë atë që kemi biseduar, dhe mbase krejt në fund të këtij procesi, do të definohet edhe si autonomi substanciale që do të vlente në Kosovë”, u ka thënë medieve në Beograd, Daçiq.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se nuk është diskutuar ndonjëherë për numrin e madh apo të vogël të ligjeve që duhet ndryshuar apo miratuar.

Por, se sipas tij, me rëndësi është që palët të fillojnë të zbatojnë obligimet e marra përsipër me marrëveshjen tashmë të nënshkruar.

Njëherësh, Kuçi i ka ftuar edhe Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të jenë të vëmendshme, sidomos në mbikëqyrjen e zbatimit të detyrimeve që ka marrë pala serbe.

“Ne nuk e kemi diskutuar numrin, as konkret e as numrin e madh. Më shumë ka qenë supozim të them i mendimeve të lira dhe nuk ka ende asgjë konkrete që ka mund të ndodhë deri më tani".

"Por, qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës e kanë gatishmërinë që të respektojnë marrëveshjen e arritur, ta zbatojnë atë në përpikëri, por kërkojmë që edhe pala tjetër ta bëjë të njëjtën gjë", ka thënë Kuçi.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë bashkë me planin e zbatimit, pritet të dalë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

Paraprakisht, Komisioni për Legjislacion planifikon të ftojë për një informatë zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi për të bërë prezantimin e ligjeve që duhet miratuar, ndryshuar apo plotësuar për të zbatuar marrëveshjen me Beogradin.

Si rezultat i marrëveshjes së Brukselit, pritet të themelohet dhe një trup me emrin asociacioni i komunave serbe, i cili i ka të përshkruara edhe kompetencat të cilat tani thuhet se implikojnë ndryshime në kornizën ligjore të Kosovës.
XS
SM
MD
LG