Ndërlidhjet

FMN: Kosova ka përmbushur kriteret e marrëveshjes


Qeveria e Kosovës ka përmbushur të gjitha kriteret e parapara me marrëveshjen “Stand By”, konsiderojnë zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë.

Misioni i FMN-së ka qëndruar në Kosovë që nga 28 maji, vizitë kjo që ka pasur për qëllim kompletimin e katërt të marrëveshjes Stand by Arrangment (SBA).

Kjo marrëveshje ka për qëllim mbështetjen e një programi për të lehtësuar presionet fiskale të vendit.

Përmes programit Stand By, i cila ka filluar para dy vitesh, Kosova ka përfituar rreth 107 milionë euro, ndërsa 5 milionë euro ende nuk janë derdhur në buxhetin e Kosovës.

Udhëheqësi i FMN-së për Kosovën, Johannes Wiegand, gjatë një konference për media, ka theksuar se qeveria ka plotësuar kriteret e marrëveshjes, ndërsa sektori financiar dhe bankar gjendet në pozitë të mirë.

Kosova, ka thënë ai, e ka përballuar krizën e Eurozonës shumë më lehtë se vendet tjera të rajonit, për shkak të lidhjeve të pakta me vendet e prekura nga kriza, por edhe për shkak të remitencave që Kosova merr nga diaspora.

“Hapat kryesorë për të cilët është arritur marrëveshje janë tiparet fiskale për vitin 2013-të dhe parametrat kryesorë për buxhetin e vitit 2014, i cili do të zhvillohet në bazë të rregullës fiskale e cila do të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, nga fundi i këtij muaji. Gjithashtu ka pasur progres në reformat e sistemit financiar”, tha Wiegand.

Ministri i Financave Besim Beqaj, theksoi se marrëveshja po shkon drejt vlerësimeve pozitive dhe drejt një diskutimi të detajuar të politikave ekonomike të Republikës së Kosovës.

Pas shumë takimeve më zyrtarë të FMN-së, ai tha se kanë arritur pajtim në të gjitha pikat e marrëveshjes.

Ministri Beqaj vlerësoi se Kosova është duke ecur mirë sa i përket performancës ekonomike dhe fiskale.

“Kemi konstatuar se janë përmbushur të gjitha kriteret kuantitative të cilat kanë qenë të vendosura nga ana e FMN-së, por njëkohësisht janë plotësuar edhe kriteret strukturore dhe kriteret e performancës të cilat kanë qenë të vlerësuara në fund të majit të këtij viti".

"Përkundër rishikimit të suksesshëm, Kosovës i kanë mbetur pa u tërhequr edhe 5 milionë euro nga fondet e FMN-së. Dhe ne nuk synojmë që të tërheqim këto mjete duke vendosur që marrëveshjen ta trajtojmë si marrëveshje me status të kujdesit paraprak”, tha Beqaj.

Ndërsa sa i përket sektorit financiar, guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, tha se ky sektor është stabil dhe likuid.

“Sa i përket sektorit financiar vazhdon të jetë mirë i kapitalizuar, likuid me normën e kredive jopërformuese më të ulëta në rajon. Kemi rritje të depozitave dhe të kredive dhe mbi të gjitha kemi edhe zvogëlim të normave të kamatave".

"Të gjitha kriteret janë të përmbushura dhe ne jemi në përpikëri duke i marrë në konsideratë me seriozitetin më të lartë rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore”, tha Hamza.

Gjatë takimeve që janë zhvilluar në mes të zyrtarëve qeveritare dhe atyre të Fondit Monetar Ndërkombëtar, është diskutuar edhe për buxhetin e këtij viti, por edhe projeksionet buxhetore për vitin 2014.

Ministri i Financave, Besim Beqaj, tha se edhe buxheti i këtij viti, por edhe projeksionet buxhetore për vitin 2014 sigurojnë vazhdimin e projekteve kapitale, konkretisht vazhdimin e projektit për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Shkup, kostoja e së cilës parashihet të jetë 300 milionë euro.
XS
SM
MD
LG