Ndërlidhjet

logo-print

Sllovaki: Jahjaga fton rajonin për bashkëpunim


Sllovaki – Pjesëmarrësit e Samitit të 18-të të Presidentëve të Evropës Qëndrore në Bratisllavë, 13Qershor2013

Sllovaki – Pjesëmarrësit e Samitit të 18-të të Presidentëve të Evropës Qëndrore në Bratisllavë, 13Qershor2013

Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga thirri sot në Bratisllavë për një bashkëpunim mes shteteve të rajonit, për një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Gjatë fjalimit të saj në Samitin e Presidentëve të Evropës Jug-Lindore, ajo kujtoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur “një të kaluar të rëndë” nga e cila jo të gjithë janë “këndellur në tërësi”, por që koha do të dëshmoj se bashkimi rreth vizionit për integrim në BE, është premtues.

“Zhvillimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe zhvillimin ekonomik, varet nga njëra-tjetra dhe, përkundër diferencave momentale dhe mospajtimeve të përkohshme rreth njohjes së realiteteve të reja, është mjet i nevojshëm për bashkëpunim dhe përparim të përgjithshëm të kësaj pjese të Evropës”, tha ajo.

20 presidentë të shteteve nga Evropa Qendrore, Evropa Juglindore dhe ajo Lindore, janë pjesëmarrës në këtë samit i cili përkushtohet për temat kryesore politike, sociale, ekonomike në rimëkëmbjen e rajonit pas krizës globale ekonomike.

Në mesin e presidentëve pjesëmarrës në samit janë edhe ai i Shqipërisë, Bujar Nishani, i Malit të Zi Fillip Vujanoviq, presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, dhe presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq.

Presidentja Jahjaga porositi se mbledhja e të gjithë presidentëve të Ballkanit në një vend, është shenjë se e kaluara po mbetet prapa.

“Sot, ne kemi dëshmuar kreativitet dhe konstruktivitet drejt tejkalimit të armiqësive të kaluara dhe ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ndryshimit të imazhit të mbarë regjionit, të vetëdijshëm se, nëse nuk i ndërmarrim të gjitha këto, ne do të mbetemi të izoluar, dhe duke e humbur edhe një gjeneratë nga papunësia dhe mospërfshirja sociale”, tha ajo.

Sipas saj, vendet e Ballkanit kanë ambicie që të bëhen vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe ky rrugëtim, edhe pse individual për secilin shtet, do të bëhet më i lehtë nëse “ne bashkëpunojmë dhe i kanalizojmë burimet tona dhe ato të Bashkimit Evropian me mençuri”.

“Në këtë aspekt, vendet aspiruese duhet të zhvillojnë bashkëpunim më të ngushtë bilateral dhe regjional, duhet të investojnë në ndërtim të mekanizmave dhe politikave të cilat do ushqejnë dhe zhvillojnë bashkëpunimin ekonomik, do të krijojnë mundësi dhe motivim për gjithsecilin që të stimulojë zhvillimin ekonomik, të intensifikojë projekte të përbashkëta të investimeve kapitale, duke vjelë fonde të Bashkimit Evropian dhe fondeve të tjera zhvillimore."

"Ne të gjithë do të përfitojmë nga këto projekte të përbashkëta dhe nga lidhshmëria nga bashkëpunim do të sigurojmë një paqe të qëndrueshme për gjeneratat e ardhshme”, tha presidentja Jahjaga.
XS
SM
MD
LG