Ndërlidhjet



Familjet në Kosovë për vite më radhë kanë qenë të varura nga dërgesat e emigrantëve.

Sipas disa llogaritjeve të bëra nga organizatat ekonomike në vend, dërgesat e emigrantëve përbëjnë 18 për qind të bruto produktit të brendshëm.

Në rubrikën “Vetëmenaxhim” të këtij edicioni, do të japim vlerësime dhe këshilla të ekspertëve të mikro dhe makro ekonomisë, si dhe zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës për mënyrën e menaxhimit të dërgesave të emigrantëve te familjet në Kosovë.

Po ashtu, do të mund të mësoni për menaxhimin e parave në bashkësitë familjare.

Mësoni si t'i menaxhoni remitencat

Kosova është ndër vendet në Ballkan me më se shumti dërgesa të pranuara. Thuhet se rreth 20 për qind e familjeve në Kosovë pranojnë dërgesa nga familjarët e tyre, të cilët jetojnë jashtë shtetit, e që këto mjete atyre iu kanë shërbyer që të jetojnë më mirë dhe të mos e ndjejnë shumë mungesën e parave.

Cili ka qenë ndikimi i remtencave? Ku dhe si janë shpenzuar ato mjete? A është bërë menaxhimi i duhur i këtyre mjeteve nga familjarët?

Në këto pyetje përgjigjet bashkëbiseduesi ynë, Naim Gashi, ekspert i ekonomisë dhe njëkohësisht hulumtues i vëllimit të remitencave dhe ndikimit të tyre në Kosovë.

NAIM GASHI
Ndikimi i remitenacve në ekonominë e Kosovës dhe në standardin jetësor të qytetarëve ka qenë jashtëzakonisht i madh. Krahas remitencave, ne duhet t’i shtojmë edhe shpenzimet, të cilat i bën diaspora në Kosovë, që është një qarkullim relativisht i madh i parave që ka ndikim te bizneset e vogla, tek ekonomitë familjare dhe te prodhuesit vendorë.

Një ndikim tjetër të madh që kanë pasur remtiencat, është edhe fakti se Kosova ka qenë një vend i dalë nga lufta dhe kontributin kryesor për rindërtimin e Kosovës, për 121 mijë shtëpive dhe objekteve tjera të banimit, që janë shkatërruar nga lufta, kontributin kryesor për ndërtimin e tyre nuk e ka as shteti, as donatorët, por diaspora kosovare, të cilët kanë ndihmuar familjarët e tyre të krijojnë strehë njëherë, pastaj ta vazhdojnë jetën e tyre pas luftës.

Ndërsa, këto fonde sa kanë pasur të mirën e vet, kanë pasur efektin edhe negativ, pasi që një fare forme në disa raste kanë krijuar një varësi të rrejshme të familjeve që dikush duhet të punojë dhe kontribuojë për ta, dhe nuk i ka motivuar shumë, sidomos të rinjtë, që të gjenden në tregun e punës dhe të gjenerojnë të ardhura për veten dhe familjen e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a janë menaxhuar në mënyrë të duhur këto mjete dhe ku janë shpenzuar?

NAIM GASHI
Mendoj se pas luftës shumica e këtyre mjeteve janë shpenzuar për ndërtimin e shtëpive, mirëpo më pas pjesa dërmuese e buxhetit të familjeve tona shpenzohet për ushqim dhe veshmbathje.

Ushqimi është elementi numër një ku janë shpenzuar paratë e diasporës, pastaj është veshmbathja, investimet e vogla, por fatkeqësisht këto mjete nuk janë shpenzuar dhe nuk shpenzohen si investime në ndërmarrje të vogla dhe ekonomi familjare, të cilat do të gjeneronin vende pune edhe për familjet që jetojnë në Kosovë, por do të gjeneronin edhe fitim për diasporën.

Unë, personalisht, propozoj që diaspora jonë duhet të ndërrojë fokusin e investimeve të tyre në Kosovë, sepse dërgesat unë i konsideroj investime jo vetëm në familjet e tyre, por në gjithë Kosovën.

Kosova është një vend ku shumë familje jetojnë në bashkësi. Numri i mesatar i anëtarëve të familjeve në Kosovë është 5 persona. Menaxhimi i të hyrave në këto familje bëhet zakonisht nga kreu i familjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, si arrihet të bëhet menaxhimi më i mirë i parave në familjet që jetojnë në bashkësi dhe të cilat krahas pagave të tyre, kanë pranuar edhe dërgesa të emigrantëve?

NAIM GASHI
Sa i përket numrit të familjeve, ka një dallim mes familjeve që jetojnë në qytet dhe atyre në fshat. Në fshatra numri i anëtarëve të familjeve është më i lartë se pesë, ndërsa në qytet është më i ulët se pesë.

Mënyra si menaxhohen këto fonde zakonisht në fshatra, mirëpo edhe në qytete rolin dominant e ka kryefamiljari, i cili zakonisht është personi më i vjetër në familje, ai është prind i familjes, në mungesë të tij, është zonja e shtëpisë apo anëtarët tjerë të familjes.

Ne, si makroekonomistë, jemi ithtarë që duke filluar nga familja, nga individi duhet të fillohet të kursehet, për arsye se kursimet janë burimi kryesor i zhvillimit të familjeve.

Unë kisha sugjeruar që jo të gjitha paratë, të cilat vijnë nga diaspora, të shpenzohen për konsum, por një pjesë e tyre, sado simbolike të jetë ajo, të fillojë të akumulohet dhe të mendohet se si ato para të investoheshin për të gjeneruar të hyra tjera.

Ekzistojnë shumë mundësi për investime të vogla, sidomos në sektorin e bujqësisë, në sektorin e blegtorisë, zejtarisë, sektorin e shërbimeve, ku me pak para mund të fillohet një ekonomi familjare, një biznes.

Banka Qendrore e Kosovës është prodhuese zyrtare e statistikave të sektorit të jashtëm, ku përfshihen edhe dërgesat e emigrantëve.

Radio Evropa e Lirë ka zhvilluar një bisedë me Sokol Havollin, ekonomist i lartë në Departamentin për Raportim Financiar dhe Analiza Ekonomike në BQK.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Havolli, sa është shuma e mjeteve që hyjnë në Kosovë nga emigrantët kosovarë?

SOKOL HAVOLLI
Për vitin 2012 vlerësimet e BQK-së janë se ka pasur një hyrje prej 605 milionë eurosh, që në krahasim me vitin e kaluar, është një rritje prej 3.6 për qind.

Dërgesat e emigrantëve janë një nga burimet e rëndësishme për financim në ekonominë e Kosovës, sidomos për konsumin e ekonomive familjare në Kosovë. Diku vlerësimet e ndryshme sugjerojnë se rreth 20 për qind e ekonomive familjare pranojnë dërgesa të emigrantëve, që afërsisht mund të konsiderohet se shuma mujore që ata e marrin, është e ngjashme me pagën mesatare në Kosovë.

Pra, nëse i marrim parasysh edhe statistikat e normës së papunësisë edhe fluksin e hyrjes së dërgesave të emigrantëve këtu mund ta vërejmë pse ekonomia e Kosovës mund të vazhdojë pa probleme në kontest social, për shkak të normës së lartë të papunësisë, pasi që dërgesat e emigrantëve konsiderohen si njëri prej komponentëve, e cila kompenson më së tepërmi në këtë normë të papunësisë.

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se kjo është një situatë e mirë në raport ndërmjet papunësisë dhe dërgesave të emigrantëve, mirëpo është një faktor i përkohshëm, i cili e mban këtë qetësinë sociale ne vend.

Mirëpo, në një periudhë afatmesme apo afatgjatë, mund të pritet që dërgesat e emigrantëve edhe mund të fillojnë të bien gradualisht për shkak të krijimit të gjeneratave të reja në diasporë dhe dobësimit të lidhjes ndërmjet diasporës dhe Kosovës.

Pra, kjo ndoshta mund të jetë arsye se pse politikat e institucioneve relevante ndoshta më tepër duhet të orientohen në drejtim të tërheqjes së investimeve nga diaspora dhe jo të kërkojnë që diaspora të dërgojë remitenca për familjet e tyre, por në vend të asaj, të fillohet të mendohet në krijimin e bizneseve të vogla, të cilat do të gjeneronin vende pune për familjarët.

Në këtë kontekst, ky investim po supozojmë se do të jetë profitabil, e largon edhe barrën që emigranti të vazhdojë të dërgojë remitenca, por në vend të asaj, pra tani familjarët kanë një punë dhe një pagë, e cila e gjithsesi e rrit produktivitetin në ekonomi dhe e pasuron kapitalin njerëzor në ekonominë e Kosovës.

Po themi se e pasuron kapitalin njerëzor në ekonominë e Kosovës, marrë parasysh se ndikimi i dërgesave të emigrantëve në tregun e punës në Kosovë, në një fare forme e ka një ndikim deri në një masë, negativ, për arsye që i dekurajon njerëzit që të futen në tregun e punës, pra e rrit pagën minimale.

Një person, i cili pranon dërgesa, nuk pranon të punojë me një pagë 150 euro, për shkak se merr dërgesa nga jashtë, ndërsa në një situatë kur nuk pranon dërgesa, ai do të pranonte të punojë edhe për 150 euro.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku janë shpenzuar këto mjete sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës?

SOKOL HAVOLLI
Pjesa dërmuese e dërgesave janë përdorur për konsum të ekonomive familjare. Ky, detyrimisht, është rast jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende tjera, pasi që shumat që dërgohen janë relativisht të vogla, por që e mbulojnë konsumin mujor të familjeve.

Nuk mund të supozojmë se dërgohet një shumë prej 10 mijë euro në fillim të vitit dhe aty përfundon çdo gjë, ato dërgohen në baza të rregullta kohore, pak a shumë e kanë një karakteristikë mjaft të ngjashme më pagën, vetëm se dallimi është se kjo pjesë që pranon dërgesa në të shumtën e rasteve nuk punon fare.

Është një pjesë relativisht e vogël që shfrytëzohet për investime, por ndikimi i tyre është mjaft i ulët me nivelin e investimeve vendore. Është një pjesë tjetër që ka ndikim më afatgjatë dhe pozitiv është financimi i edukimit të anëtarëve të familjes, që është një kontribut mjaft i rëndësishëm i diasporës.

Burimi: Banka Botërore

Burimi: Banka Botërore

​Në edicionin e tretë të rubrikës sonë, ju ftojmë të ndiqni menaxhimin e parave të familjeve me asistencë sociale mesatarisht 85 euro në muaj.
Si bëhet menaxhimi i tyre; si mund të arrihet të mbulohen shpenzimet bazë të familjeve që kanë këto të ardhura?

Aty, po ashtu, do të njoftoheni për çmimet e produkteve elementare që i duhen një familjeje.

Pyetjet tuaja mund t’i dërgoni në forumin e kësaj rubrike.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG