Ndërlidhjet

Shqipëri: Arritën 71 iranianë nga Iraku


Pamje e një pjese të kampit Liberty në Irak
Pamje e një pjese të kampit Liberty në Irak
71 pjesëtarë të një grupi iranian opozitar në ekzil, që ishin të vendosur në një kamp afër kryeqytetit të Irakut, Bagdad, janë dërguar në Shqipëri, një javë pasi kampi është goditur rëndë nga sulmet vdekjeprurëse me mortaja, kanë njoftuar sot Kombet e Bashkuara.

Zhvendosja është bërë në kuadër të përpjekjeve të OKB-së për dërgimin e 3 mijë ish-pjesëtarëve të grupit kryengritës Muxhahedinët e Popullit, jashtë Irakut, nga kampi Liberty, në një lagje të Bagdadit.

“Gjithsej 71 meshkuj dhe gra tash në mënyrë të sigurt kanë arritur në Shqipëri dhe kanë përfituar nga oferta e qeverisë shqiptare për t’i pranuar 210 banorë të kampit”, tha Martin Kobler, i dërguari special i Kombeve të Bashkuara në Irak.

Ai tha se Gjermania, poashtu, kishte ofruar pranimin e 100 banorëve dhe shtoi se sulmi vdekjeprurës në kampin Liberty, para një jave, “edhe njëherë ka treguar se sa e rëndësishme është zhvendosja e banorëve te vendet e treta, sa më shpejt që është e mundur”.

Grupi Muxhahedinët e Popullit ishte formuar në vitet e 60-ta, për ta kundërshtuar pushtetin e Shahut në Iran, dhe pas revolucionit islamik në vitin 1979, nga i cili u përmbys Shahu, përsëri i morën armët në dorë dhe luftuan kundër pushtetit të klerikëve në Iran.

Në Qershor të vitit 2008, Britania e hoqi këtë grup nga lista terroriste, e pastaj këtë e bëri edhe Bashkimi Evropian në tërësi në vitin 2009 dhe Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar.
XS
SM
MD
LG