Ndërlidhjet

Gratë afgane: Nga jashtë të padukshme, nga brenda dominante


Gra në Afganistan...
Gra në Afganistan...
Libri “Bota është një qilim” i gazetares amerikane, Anna Badkhen, përshkruan një botë ndryshe të grave afgane. Për shembull, në fshatin e izoluar Oqa ato përzihen lirshëm me burrat dhe dalin në rrugë pa shami në kokë.

“Të gjithë në fshat janë të afërm me njëri-tjetrin dhe nuk kanë nevojë të ndahen. Nuk ka të huaj. Kjo është tipike për komunitetet e vogla në Afganistan. Të gjithë janë të afërm dhe të gjithë komunikojnë vazhdimisht me njëri-tjetrin. Andaj, ndarja mes gjinive është më pak e dukshme”, thotë vetë autorja në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

Për të shkruar librin, ajo ka jetuar një kohë në qarkun Mazar-e Sherif. Ka qëndruar te një familje e madhe dhe shpesh ka shpenzuar kohë vetëm me gratë e shtëpisë. Situatën atje, Badkhen e përshkruan pak më ndryshe.

“Kam shpenzuar shumë kohë me gratë në Mazar-e Sharif. Ka qenë një familje e madhe, ndoshta 24 ose 27 njerëz, shumë fëmijë dhe gjashtë ose shtatë gra. Kemi kaluar shumë kohë në kuzhinë. Nga jashtë, gratë në Afganistan janë shumë të padukshme, por nga brenda ato janë shumë dominuese. Është një pjesë në librin tim, ku unë jam në kuzhinë dhe gratë përreth meje nisin një bisedë tejet vulgare… Dhe, ky është një lloj i shpërthimit të mbretërisë së gruas, nëse mund ta quajmë ashtu”, thotë Badkhen.

Sipas saj, gratë afgane kanë jetë më të mirë në familjet që kanë para dhe jetojnë në qytete. Në Kabul, thotë Badkhen, ka shumë gra të pasura që ndjekin Universitetin Amerikan ose Universitetin e Kabulit. Por, shton ajo, ato duhet të jenë gjithmonë nën përcjelljen e një xhaxhai apo të afërmi, sepse ecja vetëm në rrugë nuk është shumë e sigurt dhe tradicionalisht jo shumë e mirëseardhur.

Dymbëdhjetë vjet më parë, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë hyrë në Afganistan. Dy forcat janë zotuar se do të përmirësojnë edhe gjendjen e grave afgane. Por, Badkhen, në librin e saj, ka argumentuar se ato kanë dështuar në këtë drejtim.

“Jetët e grave afgane mund dhe duhet të përmirësohen duke u ofruar siguri në ushqim, kujdes shëndetësor që funksionon dhe qeveri që mbron ato dhe fëmijët e tyre. Në fakt, asnjëra prej këtyre nuk është bërë. Dymbëdhjetë vjet pasi Shtetet e Bashkuara kanë zbarkuar në tokën afgane, vdekshmëria e foshnjave mbetet më e larta në botë, gratë afgane vazhdojnë të vdesin gjatë lindjeve në norma tejet të larta. Nivelet e qasjes në sanitari apo ujë të pijshëm, janë të tmerrshme. Pra, të gjitha pohimet se si Shtetet e Bashkuara, në një mënyrë, kanë përmirësuar jetët e grave afgane, për mua janë tejet hipokrite”, thotë Badkhen.

Ajo pret që gjendja e grave afgane të përkeqësohet edhe më shumë, pas tërheqjes së forcave të Perëndimit.(v.tela)
XS
SM
MD
LG