Ndërlidhjet

logo-print
Ish-zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Serbi, Lulzim Peci, me ftesë të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, raportoi për dorëheqjen e tij, të cilën e ka dhënë më 19 qershor.

Kryetari i Komisionit, Albin Kurti, nga subjekti politik Vetëvendosje tha se pasi që kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, nuk po i raportojnë komisionit rreth diplomacisë kosovare, ndërsa ky i fundit e ka ftuar për të raportuar Lulzim Pecin, i cili njëherësh ishte edhe ambasador në Suedi.

Para anëtarëve të Komisionit, Lulzim Peci tha se emërimi në postin e zyrtarit ndërlidhës të Kosovës në Serbi i ishte dhënë përkundër vullnetit të tij.

“Mua më është kërkuar që ta marr këtë pozitë. Jam kontaktuar nga ministri i Jashtëm Hoxhaj, i cili ka kërkuar nga unë që ta udhëheq këtë mision. Kjo nuk ka qenë dëshirë e imja aspak, sepse më herët unë jam udhëzuar nga ministri Hoxhaj që të merrem me çështjet e integrimit të Kosovës në NATO dhe kjo ka qenë krejt jashtë domenit, të cilin kam qenë i orientuar të punoj më herët”.

“Është kërkuar në mënyrë të tillë që më është thënë të lutem pranoje këtë detyrë që ta shkrijmë akullin për një vit me Serbinë edhe pastaj mund të kaloni në pozicion tjetër”, tha Peci.

Ish-zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Serbi, Peci, ka shpjeguar në komision se dorëheqja kishte pasuar kritikat e kryeministrit Thaçi për deklaratat që i kishe bërë në media lidhur me vizitën në Serbi.

“U takova rastësisht me kryeministrin Thaçi, i cili më kritikoi ashpër se pse kam deklaruar në media që normalizimi i plot në mes të Kosovës dhe Serbisë nënkupton njohjen e vendit tonë nga kjo e fundit dhe më sugjeroj që për këto gjëra të këshillohem me ministrin Hoxhaj”, theksoi Peci, duke deklaruar se kritikat e Thaçit e kishin befasuar shumë, pasi që lejen për t’u prononcuar para mediave e kishte marrë nga kabineti i vetë kryeministrit.

Ndryshe, menjëherë pas dhënies së dorëheqjes nga ana e Lulzim Pecit, Ministria e Jashtme e Kosovës kishte dalë me reagim publik ku është thënë se “zotit Peci, në momente të caktuara, i ka munguar “profesionalizmi, morali i lartë, përgjegjësia, dinjiteti shtetëror dhe nacional”.

Lulzim Peci, duke komentuar reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, tha se asnjëherë nuk ka mbajtur asnjë takim sekret me Beogradin dhe se për aq kohë sa ka qenë në shërbim diplomatik, asnjëherë nuk ka marrë ndonjë vërejtje me shkrim, apo me gojë për punën e tij.

Nga ana e tij, anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sabri Hamiti, kritikoi të gjitha palët e përfshira në këtë çështje.

Hamiti madje vlerësoi se deklaratat publike të Pecit dhe MPJ-së kanë qenë një sjellje e keqe.

“Unë mendoj se krejt kjo situatë është shumë e keqe për diplomacinë e Kosovës. As nuk është diplomatike, as nuk është mençuri, në të gjitha këto veriga prej ambasadorit deri te ministri kryeministri dhe kryetarja e shtetit që mësojnë dhe përbetohen që diplomacia është shumë specifike, që shërbimi diplomatik në gjendjen politike dhe ekonomike, në të cilën jemi duhet të jetë shumë i kujdesshëm”, u shpreh Hamiti.

Ai shprehu dyshimet e tij edhe për takimin e rastësishme të disa ministrave dhe kryeministrit në një nga kafiteritë e kryeqytetit, pikërisht në ditën kur Lulzim Peci u kthye nga vizita e tij në Beograd si zyrtar ndërlidhës i Kosovës në Serbi.

“Si është e mundur që ndodheni edhe ju rastësisht edhe kryeministri me tre ministra të vet në të njëjtën kafe dhe të bisedoni për një problem të tillë në këtë formë?! Për mua kjo është problem”, i tha Sabri Hamiti në komision Lulzim Pecit.

Ndryshe, Peci tha se në Kosovë ende ekzistojnë përpjekje për denigrimin e personave të caktuar dhe punës së tyre. Ai, po ashtu, theksoi se në këtë drejtim nuk është i pari, por kërkon që të jetë i fundit ndaj të cilit bëhen, siç tha ai, denigrime.

“Nuk mund, njëkohësisht, të propagandojmë vlera demokratike dhe evropiane e të përdorim metoda staliniste ndaj personave që kanë pikëpamje të tjera politike. Shpresoj që MPJ-ja do të japë përgjegjësi, si politike, ashtu edhe morale për këtë dëm që i ka shkaktuar vendit tonë”, theksoi Peci.

Dorëheqja e Lulzim Pecit kishte ardhur dy ditë pasi Kosova dhe Serbia shkëmbyen zyrtarët për ndërlidhje. Shkëmbimi i zyrtarëve është pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimi Evropian.

Pas dorëheqjes së Lulzim Pecit nga ai post, atë e mban Valdet Sadiku, ambasador i deritashëm në Zagreb.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG