Ndërlidhjet

Fule porosi Ballkanit: Punoni, punoni, punoni..


Komisionari Evropian për zgjerim Stefan Fule
Komisionari Evropian për zgjerim Stefan Fule
Komisioneri evropian për zgjerim Stefan Fule ka porositur vendet e Ballkanit Perëndimore se pranimi i Kroacisë më 1 korrik si shtet anëtar i Bashkimit Evropian, dëshmon që BE-ja respekton zotimet e veta.

“Anëtarësimi do të bëhet realitet, sapo të jenë plotësuar kushtet”, ka tërhequr vërejtjen Fule.

“Meqë Kroacia hyn në Bashkimin Evropian, kjo nuk do të thotë që ajo po e lë rajonin. Përkundrazi, Bashkimi Evropian po ju afrohet më shumë – madje edhe fizikisht: pothuaj të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndajnë një kufi me Bashkimin Evropian”, tha ai.

Sipas tij, hyrja e Kroacisë paraqet një dëshmi të re për energjinë transformative të politikës së zgjerimit të Brukselit, pasi vendi i grisur nga konflikti i vetëm para dy dekadave, tani është në një demokraci stabile, në gjendje për të marrë obligimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe të standardeve të Bashkimit Evropian.

“Pranimi i Kroacisë rikonfirmon që perspektiva e integrimit evropian mbetet e hapur për të gjitha vendet në këtë rajon, të cilat tregojnë gatishmëri politike të nevojshme për implementimin e reformave ekonomike dhe politike dhe të cilat dëshmojnë respektin e tyre për vlera evropiane, si: sundimi i ligjit, parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut”, ka thënë Fule.

Komisionari evropian për zgjerim ka nënvizuar edhe se mundësitë janë, mirëpo lëvizja para në procesin e pranimit në Bashkimin Evropian varet në rend të parë nga “progresi vërtetë i arritur në të gjitha çështjet në vend”.

“Nuk ka rrugë të shpejta që mund të ndiqen apo formula magjike që mund të përdoren. Pranimi i Kroacisë dëshmon që Bashkimi Evropian respekton zotimet e tij: anëtarësimi mund të bëhet realitet sapo të jenë plotësuar kushtet”, ka nënvizuar Stefan Fule.

“E njëjta perspektivë është tani e hapur për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pranimi historik i Kroacisë e sjell këtë perspektivë edhe një hap më afër. Dhe ne do të vazhdojmë që të jemi të gatshëm për t’ju mbështetur në hapat e ardhshëm për të ndjekur rrugën e Kroacisë”, përfundon porosia e tij.
XS
SM
MD
LG