Ndërlidhjet

Ekonomia joligjore, e përkrahur nga krimi i organizuar


Ekonomia joligjore në Kosovë është bërë pjesë e shoqërisë dhe komunitetit të biznesit, dhe kjo në masë të madhe po dëmton buxhetin dhe prodhimin, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Ndërkaq, ata që janë kompetente të luftojnë, sipas tyre, në mënyrë direkte apo indirekte janë të përfshirë në këtë dukuri.

Sipas asociacioneve ekonomike në vend, ekonomia joformale arrin në 40 për qind.

Musa Limani, ekspert për çështje ekonomike, thotë se ekonomia joligjore po përkrahet nga krimi i organizuar dhe kontrabanda.

Ndërsa, përmasat e kësaj dukurie janë shtuar dukshëm nga pikat kufitare në pjesën veriore të Kosovës.

Nuk mund të luftohet për arsye se ata që duhet të luftojnë janë në rrjedha të ekonomisë informale. Këtë po e them, për shkak se mallrat që hyjnë në pikat kufitare (pika 1 dhe 31) nuk mund të hyjnë pa mbështetje institucionale. Pa mbështetje të personave që gjenden në krye të institucioneve. Prandaj ata që duhet të luftojnë krimin e organizuar, kontrabandën ekonomike, pikërisht janë prezentë një këto rrjedha”, thekson Limani.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2012 në komisionin për kundërvajtje Doganore janë referuar gjithsej 1,007 lëndë.

Nga këto lëndë janë shqiptuar gjoba kundërvajtëse në shumë prej mbi 1.3 milion euro, dhe konfiskime të mallrave në vlerë prej mbi një milion euro.

Artikujt më atraktiv për kontranduesit për vitin e kaluar kanë qenë stoli ari, karburante, cigare dhe të tjera.

Profesori Limani, shprehet se për derisa nuk luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar që sipas tij, në disa raste janë të përfshirë persona zyrtarë, ekonomia jo ligjore do të jetë e pranishme në vend.

Autoritete kompetente disa herë kanë deklaruar se do të luftojnë 'peshqit e mëdhenj', por siç shihet ata peshqit e mëdhenj, janë bërë 'peshkaqenë' dhe nuk guxojnë ti prekin. Prandaj është shumë vështirë që të luftohet ekonomia in-formale në saje të mos veprimit, siç është te ne, mos veprimi i gjyqësisë, parlamentit, policisë etj".

"Pra korrupsioni është në kulminacion. Nëse korrupsioni është prezent, si mund të luftohet evazioni fiskal, që rrënjët i ka te korrupsioni. Pra, ata që fusin mallin, paguajnë haraç, përndryshe nuk mund të fusin mallin në brendi të një kufiri, ku ekziston kufiri shtetëror”, shprehet Limani.

Edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Milazim Abazi, thekson se ekonomia informale është një ndër pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e buxhetit.

Ndërkaq, thotë ai, mungon angazhimi nga akterët kompetente për luftimin e kësaj dukurie.

Edhe Abazi, thotë se e ashtuquajtura “vrima e zezë” në veri të Kosovës, është pjesa ku më se shumti zhvillohet ekonomia jo ligjore.

“Ka shumë hapësirë për të vepruar institucionet kosovare për të luftuar ekonominë informale e cila e dëmton shumë biznesin e rregullt, po ashtu e përkeqëson shumë klimën e madhe biznesore në vend. Ne nuk mund të presim investime të huaj, nëse në Kosovë dominon ekonomia informale”, thekson Abazi për Radion Evropa e Lirë.

Përveç pikave kufitare, konkretisht pjesës kufitare Kosovë - Serbi, ekspertë të ekonomisë, vlerësojnë se ekonomia jo ligjore po funksionon edhe brenda territorit, nga mos fiskalizimi i të gjitha kompanive private më arka fiskale.

Më qëllim të luftimit të ekonomisë joformale, Ministria e Financave se bashku me institucionet tjera qeveritare janë të angazhuara në “Programin Qeveritar për parandalimin e Ekonomisë Joformale”
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG