Ndërlidhjet

Rrugët e gjata drejt Bashkimit Evropian



Hyrja e Kroacisë në Bashkimin Evropian të hënën, më 1 korrik, ka të ngjarë të jetë zgjerimi i fundit për një kohë. Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të ndjekin shembullin në disa pika, por do t’iu duhen së paku edhe dhjetë vjet të tjerë për shkak të luftimeve të brendshme politike, problemeve me fqinjët dhe çështjeve të pazgjidhura që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Për fqinjët e BE-së në lindje, rruga është po ashtu malore.


Mali i Zi

Mali i Zi është aktualisht vendi më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai është bërë vend kandidat në vitin 2010 dhe në fund të vitit të kaluar ka nisur rishikimin e ligjeve për të përmbushur normat e BE-së. Kompletimi i këtij procesi, i cili përfshin mbylljen e atyre që BE-ja i cilëson si 35 kapituj, mund të marrë kohë. Kroacisë i janë dashur gjashtë vjet për të koordinuar legjislacionin e saj dhe dy të tjerë derisa të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë ratifikuar marrëveshjen. Mali i Zi po ashtu ka çështje të pazgjidhura që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Shumë ekspertë besojnë se BE-ja mund të presë deri pas vitit 2020 për anëtarësimin e tij.



Maqedonia

Maqedonia është bërë vend kandidat në vitin 2005 dhe Brukseli ka propozuar vazhdimisht hapjen e negociatave të anëtarësimit, por për këtë çështje nuk ka njëzëshmëri në mesin e vendeve anëtare. Greqia ka bllokuar bisedimet për shkak të konfliktit me Shkupin për emrin e Maqedonisë. Megjithatë, ka pëshpërima në Bruksel se Greqia mund të sajojë një lloj kompromisi gjatë kryesimit të saj me BE-në, në gjysmën e parë të 2014-ës. Nëse ndodh kështu dhe nëse reformat e Shkupit mbeten solide, ai mund të arrijë Malin e Zi.


Serbia

Fati i ëndrrës evropiane të Serbisë lidhet me marrëdhëniet e saj me Kosovën. Vitin e kaluar, Beogradi është bërë kandidat zyrtar dhe tani duhet të zbatojë marrëveshjen e nënshkruar për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën. Për t’u bërë anëtare, Serbia mund të detyrohet të njohë Kosovën, pasi Bashkimi Evropian pëlqen t’i shmanget një situate të ngjashme me Qipron e ndarë.


Kosova

Kosova së shpejti do të nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian - një dokument i nënshkruar tashmë nga të gjitha republikat tjera ish-jugosllave. Bisedimet për MSA-në mund të zgjasin nga një deri në pesë vjet. Por, derisa pesë vende të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, MSA mund të mbetet e zbehtë dhe Kosova shumë prapa.



Bosnja dhe Hercegovina

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bosnjën është ratifikuar dhe nënshkruar. Por, ajo nuk ka hyrë në fuqi, pasi vendi nuk ka zbatuar një vendim të vitit 2009 të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut, që të shfuqizojë një dispozitë të ligjit, e cila lejon vetëm boshnjakët, kroatët dhe serbët të garojnë për poste të larta. Pa ndonjë lëvizje në këtë çështje, Bosnja nuk mund të nisë një aplikim serioz për anëtarësim në BE dhe do të mbetet vetëm një kandidate potenciale.


Shqipëria

Shqipëria mund të bëhet vend kandidat për BE në dhjetor. Kjo do të varet nga ajo nëse dy partitë kryesore politike do të ndalojnë grindjet me njëra-tjetrën. Komisioni i Bashkimit Evropian ka rekomanduar në vjeshtë të 2012-ës që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit, me kusht që ajo të zbatojë disa masa kyçe. Tirana, megjithatë, ka dështuar t’i arrijë këto në kohën e duhur, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe bllokimeve politike.


Turqia

Turqia ka aplikuar për t’iu bashkuar atij që në atë kohë, më 1987, është quajtur Komunitetit Ekonomik Evropian, dhe është bërë kandidate zyrtare për Bashkimin Evropian më 2005. Që nga ajo kohë, procesi ka ecur shumë ngadalë. Vetëm një nga 35 kapitujt e sinkronizimit të legjislacionit është mbyllur dhe gati gjysma e tyre është ngrirë - pjesërisht për shkak se Ankaraja ka dështuar të hapë portet dhe aeroportet për trafikun qipriot. Shumë shtete të BE-së po ashtu janë të matura kur është në pyetje anëtarësimi i Turqisë, një vend me shumicë myslimane dhe kredenciale të dyshimta demokratike.


Islanda

Islanda ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në prag të krizës financiare të vitit 2008, e cila ka goditur rëndë këtë vend. Ajo ka nisur negociatat me BE-në në vitin 2010 dhe ka qenë në rrugën e duhur për t’iu bashkuar bllokut më 2016-17. Ka hapur negociatat në pothuajse të gjithë kapitujt për legjislacion dhe ka mbyllur rreth tre prej tyre. Por, pasi kriza ekonomike është përhapur në Eurozonë dhe monedha e Islandës është rimëkëmbur, Reikjaviku është ftohur. Në qershor, qeveria e re e zgjedhur e krahut të djathtë ka njoftuar se vë në pritje negociatat gjatë mandatit të saj. Ky veprim është mbështetur gjerësisht nga popullsia.



Fqinjët e Lindjes

Asnjë nga gjashtë vendet ish-sovjetike në lindje nuk janë vende kandidate, por Ukraina është aktualisht më së afërmi. Ajo ka rënë dakord për një marrëveshje të asociimit me BE-në, e cila përfshin një pakt të tregtisë së lirë. Por, nëse marrëveshja do të nënshkruhet këtë vit dhe nëse vendet anëtare të BE-së do ta ratifikojnë atë, varet nga ajo nëse Kievi adreson akuzat për mangësi në sistemin e drejtësisë. Armenia, Gjeorgjia dhe Moldavia shpresojnë te kenë tekstin për marrëveshjet e tyre të asociimit në vjeshtë. Azerbajxhani nuk ka treguar asnjë ambicie për t’iu bashkuar BE-së, ndërsa perspektivat e Bjellorusisë duken të zymta nën sundimin e presidentit autoritar, Aleksandr Lukashenka. (v.tela)
XS
SM
MD
LG