Ndërlidhjet

Programi qeverisës i koalicionit, PS - LSI


Në krye të pak ditëve Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të kenë gati programin e masave për 300 ditët e para të qeverisjes, përfshirë brenda mandatit 4 vjeçar qeverisës.

Siç thotë Ilir Beqja i ngarkuar nga Partia Socialiste për të punuar mbi të çështje do të synohet rikthimi i normalitetit në disa sektorë.

"Ne kemi nevojë të domosdoshme për një normalitet demokratike kemi nevojë për një normalitet të rendit publik, në administrimin e financave publike dhe padyshim paralelisht vendi është gjithmonë nën kërcënimin e situatës jo të mirë energjetike dhe natyrisht kjo është një gjë që duhet përballuar me shpejtësi dhe efektivitet. Rreth datës 20 korrik do të kemi një produkt që do t’ia vëmë në dispozicion drejtuesve të dy partive", thotë Beqja.

LSI ka ngarkuar me këtë detyrë Edmond Haxhinaston që thotë krahas ekonomisë si shtyllë kryesore, vëmendje do të kenë dhe sektorë të tjerë me ndikim në jetën e përditshme.

"Përveç ekonomisë programi do të përfshijë dhe reforma të tjera institucionale kryesisht ato që kanë impakt të drejtpërdrejtë te qytetarët, që i garantojnë atyre shërbime më të mira apo shërbime të munguara. E kam fjalën këtu për sigurinë e jetës së qytetarëve, e kam fjalën këtu për disa ndërhyrje të shpejta në shërbimin shëndetësor ndaj qytetarëve", thotë Haxhinasto.

Programi i ri qeverisës, një harmonizim i programeve mes dy forcave fituese të zgjedhjeve, do të trajtojë me prioritet dhe investimet e mëdha, thotë Haxhinasto.

"Po kështu një rrugë tjetër e rëndësishme që kemi identifikuar është ajo e realizmit të investimeve të mëdha, qoftë e investimeve të huaja direkte qoftë e investimeve vendase dhe për këtë sigurisht rruga e duhur është përmirësimi i klimës së biznesit, që ka shumë vend për t’u përmirësuar", shprehet ai.

Investimet shihen, si burim potencial për punësim. Beqja thotë se në këtë aspekt objektivat e dy partive janë të përputhshëm.

"Të dy partitë që në platformën e tyre elektorale, edhe sektorët e zhvillimit të ekonomisë që do të të ofrojnë këtë mundësi për punësim i kanë praktikisht të përputhura, manifakturë, fshat dhe shërbime. Ndërkohë jemi të vetëdijshëm që kemi një potencial të fjetur në bregdetin shqiptar dhe që duhet të kemi një qasje krejt të re në shfrytëzimin e burimeve natyrore të Shqipërisë", theksoi Beqja.

Pjesë e një vendimmarrje të menjëhershme të qeverisë që nis punë në shtator do të jenë vendimet e marra nga qeveria në ikje pas datës 23 qershor thotë Beqja.

"Midis veprimeve më të para do të jetë dhe anulimi i disa vendimeve të marra në këto ditë të qeverisë në ikje. Vendime që bien ndesh në radhë të parë me miradministrimin e financave dhe të pasurisë publike, veprime që janë marrë në fakt duke mos zbatuar të gjitha standardet dhe rregullat ligjore në Shqipëri, vendime që lidhen me kontrata, koncesione prokurime", shprehet Beqja.

Në sitë edhe pse jo menjëherë do të kalojnë të gjitha koncesionet e lëshuara në katër vite qeverisje pa dallim, edhe nëse ato janë marrë nga ministri të administruara nga LSI kur kjo e fundit bashkëqeverisje me të djathtët shton më tej Beqja.

"Nuk ka selektivitet se në cilën ministri janë lëshuar koncesione të caktuara apo në cilët sektorë janë dhënë këto koncesisone. Ne jemi të angazhuar që të bëjmë një analizë të detajuar të të gjithë koncesioneve të dhëna, sigurisht ka koncesione për të cilat jemi deklaruar që do t’i shërbejmë siç është ai lotarisë kombëtare, ai i markimit të naftës edhe pse dimë që këto ditë vetë Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë atë koncesion".

LSI nuk duket e shqetësuar me këtë proces mjaft që siç thotë Haxhinasto të jetë i orientuar drejt atyre vendimmarrjeve ku ka dyshime për shkelje të procedurave ligjore.

"Unë nuk besoj se Partia Socialiste është duke folur për ndonjë fushatë kundër koncesionarëve apo investitorëve të huaj por ndoshta ata kanë parasysh ose janë në dijeni të ndonjë rasti specifik ku mund të ketë pasur devijim nga ligjshmëria e dhënies së koncesionit. Mendoj se është interesi i koalicionit për Shqipërinë evropiane që Shqipëria të garantojë një klimë sa më të të qëndrueshme, me një besueshmëri shumë të lartë ndaj investitorëve të huaj, me qëllim që të investojnë dhe të krijojnë vende të reja pune", thekson ai.

Të majtët në pushtet do të trajtojnë dhe çështjen e pronës. Më shumë se afati për zgjidhje thotë Beqja rëndësi ka zgjidhja.

"Nuk ka shumë rëndësi koha në këtë moment që po flasim. Rëndësi ka një strategji e qartë dhe progres i vazhdueshëm dhe i matshëm. Çështja e pronës në gjykimin tonë është edhe juridike dhe social ekonomike. Pa zgjidhur atë çështje s'mund të ecim përpara as në rrugën e integrimit evropian dhe as të zhvillimin ekonomik të të qëndrueshëm që ë shpërndan rritjen në sa më shumë njerëzve", thotë Beqja.

Zgjidhjen e çështjes së pronës, Haxhinasto e sheh me një ndikim të fuqishëm në ekonomi.

"Kthimi i pronës tek i zoti është dhe një veprim i duhur racional, pasi çliron miliona e miliona euro në qarkullim. Mendoj se do të jetë një çështje e rëndësishme e programit tonë që të jepen titujt e pronësisë dhe të merren masat për sqarimin e asaj xhungle juridike që ekziston për sa i takon çështjes së pronave", thekson Haxhinasto.

Në procesin për harmonizim të programit, të ngarkuarit me punë të dy partive që do të bashkëqeverisin, u konsultuan dhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE të akredituar në Tiranë.

Interesi i ndërkombëtarëve është i fokusuar tek zgjidhja që do t’i japë mazhoranca e re, problematikave që lidhen me korrupsionin përmirësimin e klimës së biznesit, apo garantimit të pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
XS
SM
MD
LG