Ndërlidhjet

logo-print
VOX

Profesionet e të rinjve, dëshirë apo nevojë për tregun e punës?




Tashmë kanë filluar regjistrimet në Universitetin e Prishtinës, ‘’Hasan Prishtina’’ dhe shumë studentë japin mendimet e tyre rreth asaj se profesionet e tyre i kanë zgjedhur sipas dëshirës së tyre, apo nevojës për tregun e punës.

Në rubrikën tonë të përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, kemi marrë mendimet e disa të rinjve, të cilët për herë të parë do të bëhen studentë në këtë vit.

Fakulteti Ekonomik, mbetet njëri nga fakultetet më të kërkuara nga të rinjtë, të cilët këtë vit do të fillojnë studimet. Por edhe fakulteti juridik, ai I bujqësisë e ndërtimtarisë është ndër profesionet e dëshiruara.

Teuta Gashi, jep mendimin e saj.

"Do të studioj fakultetin ekonomik, drejtimin banka dhe financa. Më pëlqen si profesion. Nuk kam punuar asnjëherë në këtë profesion, por pres pas studimeve të punësohem. Por nëse nuk do të mund të punësohem në profesion, do të pranoja të punoj edhe diçka tjetër, ajo çka më ofrohet".

Edhe Granit Govori do të jetë student i Fakultetit Ekonomik. Ai ka shpresë se pas përfundimit të fakultetit do të punësohet në profesionin e tij si ekonomist.

"E kam pasur si qëllim të studioj ekonomik. Edhe jam pranuar në fakultet. Në qoftë se e përfundoj me sukses fakultetin, besoj se do të punësohem".

Në tregun e punës në Kosovë hyjnë deri në 35 mijë të rinj, ndërkaq ky treg absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

Xhyzide Aliu, do të studiojë edukimin parashkollor. Ajo thotë se po se qe nuk do të gjejë punë në profesion, do të pranonte të punonte edhe jashtë profesionit, atë çfarë e kërkon tregu i punës.

"Edukim parashkollor kam konkurruar. Po pres që kur t'i përfundoj do ta gjej një vend pune. Si është puna aktuale në Kosovë është shumë e vështirë. Nëse më ofrohet diçka jashtë profesionit kisha punuar".

Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina” në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për këtë vit akademik do të regjistrojë 11.932 studentë, prej të cilëve 9.412 studentë të rregullt dhe 2.520 studentë me korrespondencë.

Derisa Fazile Jashanica, mendon që nga ky vit të ë studiojë studimet islame. Ajo thotë se në këtë lëmi nuk ka shumë të interesuar, andaj shpreson se do të pranohet.

"Studime islame. Shkollën e mesme e kam përfunduar në atë ekonomike. Më pastaj do të shoh se çka do të bëj. Do t'i kryej studimet. Nuk ka shumë konkurrencë për këtë degë, dhe kam shpresë se do të pranohem".

Ndërkaq Shemsije Muçaj, thotë se ka vendosur të studiojë juridik për dy arsye. I pëlqen si profesion, dhe e kërkon tregu i punës.

"Do të studioj juridik. Më pëlqen si profesion dhe kam vendosur ta studioj. Por nëse nuk do të mund të punësohem, do të pranoj të punoj edhe jashtë profesionit".

Rozeta Muçaj, tashmë është në përfundim të studimeve të saj në fakultetin ekonomik, dega menaxhment marketingu. Ajo thotë se punon në biznes familjar.

"Unë sapo kam përfunduar fakultetin. Merrem me një biznes familjar. Kam përfunduar në Maqedoni, menaxhment marketingu. Profesion shumë i mirë, ndihem mirë dhe do të punoj gjithmonë në profesion".

E Gazmend Mustafa ka zgjedhur të studiojë bujqësinë. Ai thotë se është një profesion premtues.

"Bujqësi studioj. Jam në vitin e dytë. Mendoj se do të punësohem sepse është fillimi i perspektivës së bujqësisë në Kosovë. Qe 14 vjet bujqësia është shumë prapa. Por tash me donacione edhe nga jashtë po avancohet".

Alban Rekaj studion ekonomikun.

"Ekonomikun e studioj. Mendoj që do të gjej punë, por ta shohim tash. Kërkon tregu ekonomista sepse është duke u zhvilluar ekonomia në Kosovë . Por si profesion mua më pëlqen".

Derisa Qëndrim Rexha ka konkurruar në ndërtimtari.

"Do të studioj ndërtimtari. Më pëlqen si profesion. Mendoj se do të punësohem sepse është një drejtim pak më i veçantë nga të tjerët".

Ngjashëm mendon edhe Fitim Zeka.

"Më pëlqen si profesion, por mendoj se edhe e kërkon tregu. Studioj ndërtimtari hidro. Mendoj se do të gjej punë pas përfundimit të studimeve".

Sidoqoftë, sipas hulumtimeve të bëra nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Aleancën Kosovare të Biznesit, profesionet që më së shumti kërkohen në Kosovë, e që në fakt ka mungesë të këtyre profesioneve, është sektori i hotelerisë, si dhe sektori i ndërtimtarisë së ultë dhe të lartë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG