Ndërlidhjet

Maqedoni: Prezantohet draftligji për mediat


Ministri i shoqërisë Informative Ivo Ivanovski sot ka prezantuar draft ligjin e ri për mediat duke theksuar se në të janë përfshi të gjitha rekomandimet të I cilat ishin shprehur nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

“Të gjitha definicionet për çka kishin shprehur vërejtjet e tyre OSBE-ja dhe Këshilli Evropian janë riprecizuar me atë që janë përfshirë sugjerimet e tyre në draft propozimin ligjit të ri për media ”, është shprehur ministri Ivanovski duke paralajmëruar se gjatë shtatorit kuvendi republikan do të sjellë Ligj lidhur me sektorin e mediave; Ligji për media dhe Ligji për shërbime audiovizuele.

"Qeveria përfundimisht i ndau këto dy sektorë, mediat dhe shërbimet audiovizuel, pas rekomandimeve të KE-së dhe OBSE-së. Ligji për media përbëhet prej 24 neneve" ka sqaruar ministri Ivanovski duke shtuar se versionet janë të miratuara nga plan-ligjet në bashkëpunim me institucionet dhe shoqatat e gazetarëve.

SHGM nuk ka dashur të komentojë propozim ligjin për media, të propozuar sot nga ministri i shoqërisë Informative të Maqedonisë, duke theksuar se janë duke e shqyrtuar në formë të detajuar dhe brenda javës do të dalin me sugjerimet dhe vërejtjet në pjesë të caktuara që kanë ndaj ligjit në fjalë.

Përderisa Shoqata e Gazetareve thotë se i duhet kohë për të shprehur qëndrimet e para, OSBE ka theksuar se në këtë draft ligj ka ende paqartësi në vetë-rregullimin, në revokimin e licencës, kufizimet e pronësisë, agjencinë për media si dhe veprimtaria e shërbimit publik.

“Ligji është ende i mjegullt për sa i përket dallimit mes vetë-rregullimit dhe rregullimit formal, duke e përmendur vetë-rregullimin në shumë raste dhe duke e bërë kështu obliguese dhe për rrjedhojë, duke kufizuar karakterin vetë-rregullues, çështja kryesore që mbetet, është se përse ligji duhet të obligojë vetë-rregullimin, po ashtu, revokimi i licencës mund të bëhet shumë lehtë”.

Për OSBE-në shqetësuese është edhe monitorimi shtetëror. Ligjit i janë hequr disa referenca të panevojshme, ndërsa nga ana tjetër, shpifja vazhdon të jetë në fokus të tij, duke lënë hapësirë për ndrydhje të lirisë së gazetarëve.

Nga ana tjetër Qashif Bakiu, ligjërues në Fakultetin e Gazetarisë në USHT konsideron se edhe ky draft ligj është hartuar në formën më jotransparente duke anashkaluar kryekëput vërejtjet e aktorëve kryesorë që tangon ky ligj.

“Mënyra e miratimit të procesit të miratimit të ligjit për media pasqyron pozitën që ka Maqedonia kundrejt respektimit të lirisë së fjalës. Lë shumë për të dyshuar se grupi interesat e të cilëve tangohen janë lënë pothuaj krejtësisht anësh sa i përket kësaj çështje dhe një gjë e këtillë lë shumë hapësirë për të dyshuar në përmbajtjen” thekson Bakiu.

“Vetë mënyra se si përgatitet ky ligj është mjaft e dyshimtë dhe jam i mendimit se edhe ky draft i dytë do të ketë mangësi të mëdha të cilat do ti bëjnë të ditura shoqatat e gazetarëve dhe organizatat e ndryshme që përfaqësohen nga gazetarët ngase edhe përmes këtij drafti synohet që qeveria të ketë gisht , mbi mediat dhe fjalën e lirë”, shton ai.

Edhe në raportet e fundit të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, Maqedonia në vazhdimësi ka shënuar rënie sa i përket lirisë së shprehjes.
XS
SM
MD
LG