Ndërlidhjet

Putin: Nuk lejojmë që Snowden të dëmtojë raportet tona me SHBA-në


Presidenti rus, Vladimir Putin, në Chita, korrik 2013.
Presidenti rus, Vladimir Putin, në Chita, korrik 2013.
Raportet Rusi-Amerikë janë shumë më të rëndësishme sesa çështja Edward Snowden!

Por, megjithatë Snowden ka shkaktuar tensione mes dy superfuqive, pasi Rusia refuzon ta ekstradojë tek autoritetet amerikane.

Megjithatë, presidenti rus, Vlladimir Putin, duke folur para gazetarëve nga qyteti lindor Chita, mbrojti të drejtën e Moskës për të pasur një politikë të jashtme “të pavarur” pasi Shtetet e Bashkuara përsëritën thirrjen e tyre që t’i dorëzohet Snowden.

“Lidhjet tona bilaterale (Rusi-SHBA), sipas meje, janë shumë më të rëndësishme sesa grindjet rreth punës së shërbimeve të sigurisë”, tha Putin.

Moska zyrtare, madje, edhe ka paralajmëruar ish-kontraktorin e Agjencisë Kombëtare Amerikane të Sigurisë që Rusia nuk do të tolerojë asnjë aktivitet të tij, i cili do të dëmtonte raportet me Shtetet e Bashkuara.

Snowden ka mbetur i ngujuar në aeroportin e Moskës Sheremetyevo, që nga 23 qershori, kur është larguar nga Hong-Kongu nga frika se do të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara.

Të martën Snowden ka kërkuar azil të përkohshëm në Rusi.

Ndërsa autoritetet ruse i kanë ndaluar Snowdenit që të publikojë çfarëdo dokumenti tjetër të shërbimeve sekrete përderisa është në tokën ruse.

“Kemi paralajmëruar zotin Snowden se çfarëdo aktiviteti nga ana e tij, i cili mund të dëmtojë raportet Rusi-Shtete të Bashkuara është i papranueshëm për ne”, ka thënë Putin të mërkurën.

Informatat që Edward Snowden u ka dhënë medieve ndërkombëtare flasin për një vëzhgim të paprecendentë të Shteteve të Bashkuara në telefoni mobile dhe internet.
Programet e mbikëqyrjes që kanë përdorur autoritetet, kanë shkaktuar një debat të gjerë në Amerikës rreth ligjshmërisë së masave të tilla dhe kufirit që duhet të ketë qeveria në jetën private të njerëzve.

Raportet për programet dikur sekrete, kanë shkaktuar fërkim edhe në raportet e Washingtonit me një numër të shteteve aleate, përfshirë ata kryesorët në Evropë.

Në fillim të këtij muaji gazeta britanike “The Guardian” ka cituar informata të marra nga Snowden, që thonë se Washingtoni ka spiunuar 38 ambasada dhe zyre të përfaqësive evropiane, si ato të Japonisë, Turqisë, Francës, Italisë dhe Greqisë.

Javën e shkuar, ndërkaq, magazina gjermane “Der Spiegel” ka raportuar se cak i spiunimit ishin edhe zyrat e BE-së në Washington, New York dhe Bruksel, dhe se përveç këtyre, edhe komunikimi në Gjermani është mbikëqyrur.

Për shkak të gjithë kësaj rrëmuje, presidenti rus, Vlladimir Putin, dëshiron që Edward Snowden të largohet sa më parë nga Rusia, pasi atij i kanë ofruar azil disa shtete të Amerikës Latine.

Kreu i Komitetit për Mbikëqyrje Publike, në kuadër të Ministrisë së Brendshme, Anatoly Kucherena, i cili edhe po ndihmon Snowdenin me kërkesën e tij për azil të përkohshëm në Rusi, tha të mërkurën se rasti i amerikanit të arratisur do të zgjidhet për pak ditë.

"Mendoj se Snowden do të largohet nga aeroporti në ditët e ardhshme. Edhe pse, megjithatë, disa dokumente ende kërkojnë kohë për t’u proceduar, por mendoj se e tërë kjo punë do të mbarojë brenda javës. Pastaj do të shqyrtohet çështja e dhënies apo jo të azilit të përkohshëm për zotin Snowden”, tha Kucherena.

Të martën mbrëma, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, përsëriti që Snowden duhet t’iu dorëzohet autoriteteve gjyqësore amerikane, pasi ai akuzohet për vjedhje të dokumenteve shtetërore dhe rrjedhjen e informatave sekrete në publik.

"Qëndrimi ynë është që Snowden duhet të dëbohet (nga Rusia) dhe të kthehet prapa në Shtetet e Bashkuara, dhe se atij nuk duhet t’i lejohet që të hipë në fluturime tjera përveç atij që është i nevojshëm për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara. Ai nuk është aktivist i të drejtave të njeriut. Ai nuk është disident. Ai akuzohet për publikim të dokumenteve sekrete”, tha zëdhënësi Carney.

Sido që të jetë, Ministria Federale Ruse për Migracion, tha se procedurat e rishikimit të aplikacioneve për azil, mund të zgjasin deri në tre muaj, para se të vendoset nëse Snowden do të marrë azil të përkohshëm.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG