Ndërlidhjet

Pesë vjet burg aktivistit opozitar në Rusi

  • RFE /RL

Aleksei Navalny

Aleksei Navalny

Një gjykatë në qytetin rus, Kirov, e ka dënuar një aktivist opozitar, Aleksei Navalny, me pesë vjet burg për vjedhje. Navalny këtë dënim e ka cilësuar si të motivuar politikisht.

Gjyqtari Sergei Blinov e ka shpallur vendimin të enjten.

"Gjykata e shpall fajtor Aleksei Anatolyevich Navalny, sipas nenit 33 dhe nenit 160 të Kodit Penal rus të datës 7 mars 2011 dhe e dënon atë me pesë vjet burg pa ndonjë ndalesë tjetër të lirisë, pra pasi të ketë përfunduar dënimin. Ai, gjithashtu, dënohet me 500 mijë rubla ruse (15 400 dollarë) shumë kjo që duhet t’ia paguajë shtetit”, ka thënë gjyqtari Blinov.

Navalny dhe i bashkëpandehuri, Pytor Ofitserov, janë dënuar për shkak të vjedhjes dhe shitjes ilegale të lëndës së drurit të një kompanie me emrin Kirovles, në vlerë prej 500 mijë dollarwsh në vitin 2009. Ofitserovit i është dhënë dënim prej katër vjetësh.

Të dy tashmë të dënuarit janë marrë në paraburgim që në sallën e gjykatës. Avokati i Navalnit, Sergei Kobelev, ka thënë se klienti i tij do ta apelojë vendimin.

Drejtori i kompanisë Kirovles, Vyacheslav Opalev, ka dëshmuar kundër Navalnit, ndërsa gjyqtari ka thënë se dëshmia e tij ka qenë “e besueshme dhe konsistente”.
Opalev është deklaruar se është fajtor për konspiracion me Navalnin dhe për këtë ai mori dënim me kusht.

Në anën tjetër, Navalni ka deklaruar se atij i është ngritur kurth nga Opalev, sepse ai kishte rekomanduar largimin nga puna të drejtorit të Kirovles dhe të hetohet për korrupsion.

Gjyqtari Blinov e ka hapur seancën e së enjtes duke përmendur detaje të të gjeturave kundër të pandehurve.

"Duke vepruar në bazë të interesit vetanak, derisa Navalni e ka organizuar krimin, ai gjithashtu planifikonte që ta mbikëqyrte atë, së bashku me Ofitserovin, i cili është ndjekur penalisht si bashkëpunëtor dhe së bashku e kanë zhvilluar planin kriminal që ta vjedhin pronën e Kirovles në të mirë të një organizate të sapo krijuar nën kontrollin e të dy të dënuarve”, ka vlerësuar gjykatësi Blinov.

Navalny është një kritik i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin. Ai vlerëson se rasti kundër tij ka për qëllim që ta detyrojë atë të heshtë dhe të dëmtojë ambiciet e tij politike.

Gjykatësi e ka trajtuar edhe këtë çështje në gjykatë.

"Pretendimet e Navalnit se ndjekja penale kundër tij ka qenë e motivuar politikisht, nuk janë vërtetuar. Mbrojtja nuk ka paraqitur dëshmi për paanshmërinë apo paragjykimet e hetuesve apo ekspertëve të rastit", ka thënë gjykatësi Blinov.

Navalny është konfirmuar të mërkurën si kandidat për udhëheqjen e Moskës, në zgjedhjet bashkiake, por shefi i fushatës së tij, Leonid Vokov, ka thënë se ata kanë vendosur që të tërhiqen prej garës. Vokov i ka thënw një radio ruse se ata do t’iu bëjnë thirrje përkrahësve të Navalnit që t’i bojkotojnë zgjedhjet.

Një sondazh i realizuar nga një kompani e pavarur, Qendra Levada, thotë që Navalny do të dilte i dyti në këto zgjedhje me vetëm 8 për qind. Kryetari aktual i Moskës, Sergei Sbyanin, që është lojal ndaj Kremlinit, sipas rezultatit të sondazhit, do të dalw fitues i qartë i zgjedhjeve për kryetar të bashkisë së Moskës.

Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, ka publikuar një deklaratë në lidhje me dënimin e Navalnit dhe Ofitserovit ku thuhet: “Akuzat kundër tyre nuk janë verifikuar përgjatë gjykimit”.

Në këtë deklaratë, gjithashtu, thuhet se: “Ky vendim, duke pasur parasysh mangësitë procedurale, nxit pyetje serioze sa i përket gjendjes së sundimit të ligjit në Rusi”.

Grupet e të drejtave të njeriut, po ashtu, e kanë kundërshtuar vendimin. Sergei Nikitin nga zyra moskovite e “Amnesty International” ka thënë se vendimi kundër Navalnit “dëshmon përkeqësim të situatës së të drejtave të njeriut në Rusi.”

Aleksander Cherkasov nga organizata për të drejtat e njeriut “Memorial”, e ka quajtur këtë vendim gjykate si “të motivuar politikisht”.

Navalny u është drejtuar qindra mijëra përcjellësve të tij në rrjetin social “Twitter” gjatë gjithë procesit gjyqësor me mesazhe.

Postimi i tij i fundit ka qenë, “Në rregull është. Bëni përpjekje që të mos ju mungoj. Dhe, më kryesorja, mos u bëni dembelë. Bretkosa nuk largohet nga naftësjellësi pa e detyruar dikush”.(a.haraçia)
XS
SM
MD
LG