Ndërlidhjet

Buxheti dhe mungesa e barnave sfidojnë QKUK-në


QKUK
QKUK
Zyrtarë të lartë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë prezantuar raportin gjashtëmujor të punës së këtij institucioni.

Ndër problemet dhe sfidat e këtij gjashtëmujori, drejtori ekzekutiv i QKUK-së, Njazi Gashi ka thënë se furnizimi me barna dhe material shpenzues ka qenë i paqëndrueshëm.

Ai gjithashtu ka përmendur edhe buxhetin e limituar, si dhe procedurat e prokurimit që nuk përshtaten me specifikat në shëndetësi.

"Furnizimi me barna nga lista esenciale ka qenë 39%, me citostatikë 31%, se dhe me material shpenzues 25%".

Zoti Gashi shtoi se QKUK-ja, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, përkundër sfidave të mëdha që kanë pasur, aty edhe është punuar.

Ai jep hollësi rreth sukseseve të këtij institucioni.

"Për këtë periudhë kohore në QKUK janë realizuar 243,293 ditë mjekimi për pacientë, 43.660 pranime, 8.863 operacione, prej tyre 6.597 me anestezion total. Janë kryer 4.992 lindje, prej tyre 1.601 lindje cezariane me 5.395 të porsalindur, 13.593 dializa, 135.000 vizita ambulatore, 2.323 rezonanca magnetike, 5.440 CT, 44451 rëntgen dhe 141 radioterapi”, tha Gashi.

Por, sindikalistët e shëndetësisë duket të jenë shumë kritikë lidhur me atë si ata e shohin gjendjen aktuale në shëndetësinë kosovare.

Blerim Syla, udhëheqës i Federatës së Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se edhe pse është miratuar ligji i shëndetësisë, sipas tij nuk po shihet ndonjë lëvizje pozitive në shëndetësinë kosovare.

"Edhe pse është aprovuar Ligji për shëndetësi, situata mbetet e rëndë. Dëshmitarë mbeten pacientët që duhet blerë barnat të listës esenciale. Është muaji i shtatë dhe ne asnjë lëvizje pozitive nuk e kemi në shëndetësi. Kur e shtojnë edhe atë se QKUK-ja ende vazhdon të funksionojë me ushtrues detyre, atëherë kjo vetvetiu reflekton një pasiguri në menaxhment, e kjo pasiguri si pasojë ka edhe keqmenaxhimin", tha Syla.

Edhe pacientët japin mendimet e tyre rreth gjendjes aktuale që po mbretëron në shëndetësinë kosovare.

"Ka përparime në shëndetësinë tek ata doktorë që duan të punojnë dhe punojnë me përkushtim, kurse sa i përket trajtimit të pacientëve, ata janë në gjendje të mjerueshme. Jo ndoshta e gjithë QKUK-ja , por ka aty reparte ku kushtet janë të mjerueshme", thotë Adelina Kastrati.

Edhe Muhamet Veliu, pacient, jep mendimin e tij.

"Kur shkon në spital, fillimisht s’ke gjilpëra, barna, krejt duhet blerë vetë. Cilësia e ushqimit nuk është në nivel. Kush shkon në spital fillimisht duhet t'i siguroje së paku 100 euro, t'i ketë me vete, përndryshe mbetesh pa barna dhe shërbim, sepse aty gjithmonë mungon diçka".

Sidoqoftë, zoti Gashi, si sukses gjithashtu ka përmendur edhe funksionalizimin e plotë të institutit onkologjik brenda QKUK-së.
XS
SM
MD
LG