Ndërlidhjet

Jahjaga: Rruga evropiane e secilit shtet të jetë e garantuar


Pjesëmarrësit e samitit të tetë vendeve të Ballkanit Perëndimor - Slloveni, 25 korrik 2013.
Pjesëmarrësit e samitit të tetë vendeve të Ballkanit Perëndimor - Slloveni, 25 korrik 2013.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kërkuar që perspektiva për anëtarësim e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, të jetë e garantuar.

“Kam bindjen e plotë se ne të gjithë do të bëhemi anëtarë të BE-së, në një të ardhme të afërt”, tha Jahjaga dhe shtoi se “rruga evropiane e secilit shtet duhet të jetë e qarantuar dhe e qëndrueshme”.

Këto komente zonja Jahjaga i bëri të enjten në samitin e presidentëve të tetë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Bërdo afër Kranjit, në Slloveni.

Më tutje ajo theksoi se “bashkëpunimi ynë mund të marrë formën e një të ashtuquajturi - mini – Shengeni, si dhe atë të praktikave të mira evropiane nëpërmjet së cilave vendet aspiruese mund të zhvillojnë marrëdhënie më të ngushta bilaterale dhe bashkëpunim rajonal”.

Në këtë samit, që praktikisht është i pari i këtij lloji, u synua promovimi i bashkëpunimit dhe i pranimit të më tepër shteteve në BE, dy dekada pas shkatërrimit të përgjakshëm të ish-Jugosllavisë.

Në samitin e së enjtes morën pjesë presidentët e Sllovenisë, Kroacisë, Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës dhe Serbisë.

Në samit mori pjesë edhe presidenti i Francës, Francois Hollande, i cili e ka mbështetur integrimin e vendeve ballkanike në BE, ashtu siç janë pranuar tashmë Sllovenia dhe Kroacia, por tha se duhet të bëhet më tepër punë në pajtimin dhe reformat politike, ekonomike dhe institucionale.

“Jo çdo gjë është zgjidhur në këtë rajon dhe atje mbesin çështje që kërkojnë vigjilencë dhe kujdes”, theksoi Hollande në konferencën për shtyp, pas samitit.

Ai theksoi se ka ardhur në samit "për t’u thënë tetë shefave të shteteve se derisa vendet në Ballkan synojnë integrim në Bashkimin Evropian, Franca është në anën e tyre”.(f.bujupi)
XS
SM
MD
LG