Ndërlidhjet

EULEX: Procedohet lënda në rastin e MTPT-së


Gjykata Themelore e Prishtinës sot ka marrë aktvendim lidhur me Kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesat për rrëzimin e aktakuzës, që ishte paraqitur nga mbrojtja në të ashtuquajturën lëndë të Ministrisë së Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit (MTPT), ka njoftuar misioni EULEX.

Kryetarja e trupit gjykues nga EULEKS-i e ka konfirmuar shumicën e akuzave të përfshira në aktakuzë dhe vendosi të procedojë me lëndën në shqyrtim gjyqësor.

Lënda ka të bëjë me sjelljen e supozuar korruptive në MTPT, në periudhën 2008-2010.

Mëtutje në njoftim theksohet se gjykata ka gjetur prova të mjaftueshme për dyshim të mirë-bazuar se të pandehurit Fatmir Limaj, ish-ministër në MTPT, Nexhat Krasniqi, ish-shef i prokurimit në këtë ministri, dhe Endrit Shala, ish-shef i kabinetit dhe këshilltar i Fatmir Limajt, formuan një grup të organizuar kriminal, i cili kreu vepra të rënda penale të shpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfeteve.

Mëtutje, Zyra për informim e EULEX-it njofton se gjykata gjeti dyshim të mirë-bazuar se i pandehuri Florim Zuka, pronar i kompanisë Tali, ka kryer vepër penale të ofrimit të ryshfeteve dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.

Gjykata konfirmoi akuzën e mosdeklarimit të parave të marra për fushatë, akuzë kundër Fatmir Limajt, sepse ajo gjeti prova të mjaftueshme se i pandehuri nuk i kishte deklaruar paratë, që ai i kishte marrë si kontribut për fushatë politike për fushatën e tij zgjedhore në vitin 2007.

Padia kundër Fatmir Limajt dhe Nexhat Kransiqit për përvetësim (shpërdorim) në detyrë, dhe akuza kundër Fatmir Limajt, Nexhat Krasniqit, Endrit Shalës dhe Florim Zukës, për veprën penale të lidhjes së kontratave të dëmshme, u rrëzuan të dyja nga Gjykata.

Gjithashtu, akuzat e pastrimit të parave dhe mbajtjes së armëve në pronësi, posedim ose shfrytëzim pa leje, me të cilat ishte akuzuar Fatmir Limaj, u hodhën poshtë nga Gjykata. Gjykata rrëzoi në tërësi akuzat ndaj të pandehurve Florim Lima, Demir Lima dhe Gani Zogaj dhe pushoi procedurën penale kundër tyre. Të pandehurit Florim Lima dhe Demir Lima ishin akuzuar me veprat penale të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, i pandehuri Gani Zogaj ishte akuzuar me veprat penale të pengimit të të provuarit dhe asgjësimit ose fshehjes së materialeve arkivore. Gjykata arriti në përfundimin se nuk ka prova të mjaftueshme për t’i mbështetur këto akuza.

Në lidhje me provat e mbledhura nga Prokuroria gjatë fazës hetimore, Gjykata gjeti disa shkelje procedurale dhe përjashtoi prova të ndryshme. Veçanërisht provat e marra gjatë kontrolleve të kryera në shtëpinë e Fatmir Limajt dhe në dhomat e serverëve në Kuvendin e Kosovës më 28 prill 2010 u gjetën të papranueshme, sepse për mendimin e Gjykatës, të dy kontrollet ishin të paligjshme, ngase nuk ekzistonin rrethana urgjente, që do ta kishin lejuar policinë ta kryente kontrollin pa urdhër me shkrim të gjykatës dhe pa një miratim të mëpasshëm (retroaktiv) me shkrim nga gjyqtari kompetent i procedurës paraprake.

Gjykata hodhi poshtë kundërshtimin e paraqitur nga mbrojtja se mesazhet SMS të përgjuara janë të montuara dhe, për këtë arsye, të pambështetshme. Gjykata mbajti qëndrimin se mbështetshmëria dhe besueshmëria e mesazheve SMS mund të vlerësohet në mënyrë të rregullt vetëm gjatë shqyrtimit gjyqësor, e cila është pjesë (fazë) e procedurës penale, ku palët lejohen të paraqesin prova për të mbështetur qëndrimin e tyre dhe Gjykata mund të vlerësojë provat shkresore të deklaruara nga Mbrojtja, njoftoi misioni EULEX.
XS
SM
MD
LG