Ndërlidhjet

Kerry: Të gjitha çështjet e statusit final – në tryezë


Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, thotë se të gjitha çështjet, përfshirë atë të statusit final, janë në tryezën e negociatave ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Ai theksoi se rundi i ardhshëm do të mbahet brenda dy javëve në rajon.

Këto komente ai i bëri të martën në Uashington, në paraqitjen para gazetarëve së bashku me negociatorët izraelitë dhe palestinezë.

Sipas tij, qëllimi është arritja e marrëveshjes finale brenda nëntë muajsh.

“Palët janë pajtuar sot këtu që të gjitha çështjet e statusit final, të gjitha çështjet thelbësore, dhe të gjitha çështjet e tjera janë në tryezë të negociatave. Ata janë në tryezë me një qëllim të vetëm: për ta parë përfundimin e konfliktit, përfundimin e pretendimeve”, tha John Kerry.

Ai ka tërhequr vërejtjen se “nuk ka shumë kohë” për ta zgjidhur konfliktin e vjetër disa dekada, dhe ka kërkuar nga palët ta përqafojnë kompromisin. Zoti Kerry, po ashtu, tha se të dy palët janë pajtuar që përmbajtja e negociatave të mbahet në fshehtësi.

Pala izraelite në negociata udhëhiqet nga Tzipi Livin, ish ministre e jashtme, e cila ishte aktive në rundin e mëparshëm të pasuksesshëm të bisedimeve paqësore të iniciuara nga administrata e ish-presidentit amerikan, Geroge W. Bush.

Ajo u shpreh se negociatat, që rifilluan në Uashignton, japin shpresë.

Për ne është krijuar një mundësi e re. Pra për të gjithë ne, dhe ne nuk mund të lejojmë që ta humbim atë. Tash shpresoj se takimi ynë dhe negociatat, që i rifilluam, do të shkaktojnë shpresë, një shkëndijë shprese, megjithëqë e vogël, në vend të cinizmit dhe pesimizmit që dëgjohet shumë shpesh”, tha Tzipi Livni.

Ekipi i negociatorëve palestinez udhëhiqet nga Saeb Erakat, i cili ishte pothuajse aktori kryesor në negociatat e dështuara me izraelitët prej vitit 1991.

Ai ka shprehur gatishmëri për të gjurmuar nëpër një mori të çështjeve, që i ndajnë të dy palët, pasi negociatat në Uashington janë marrë kryesisht me kornizën për negociata.

“Palestinezët kanë vuajtur mjaft. Askush nuk përfiton më shumë nga suksesi i kësaj ndërmarrjeje se palestinezët. Jam i entuziazmuar që të gjitha çështjet e statusit final janë në tavolinë dhe do të zgjidhen, pa asnjë përjashtim”, tha Saeb Erakat.

Para kësaj paraqitjeje, Tzipi Livni dhe Saeb Erakat janë takuar me presidentin amerikan, Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Zëdhënësi Jay Carney tha se Obama e ka lavëdurar “kurajën” e negociatorëve izraelitë dhe palestinezë gjatë takimit në Uashington.

Më herët, shefat e të dy ekipeve negociatore janë takuar së bashku me negociatorët amerikanë. Bisedimet zyrtarisht filluan të hënën në mbrëmje. Kjo është përpjekja e tretë e administratës së presidentit Obama për rifillimin e bisedimeve.

Në një kumtesë, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, e ashtuquajtura katërshe, e ka mirëpritur vazhdimin e bisedimeve paqësore.

Sekretari i shtetit, John Kerry, pjesën më të madhe të gjashtë muajve të parë në postin e sekretarit amerikan të shtetit, ishte i angazhuar në të ashtuquajturën “diplomaci vajtje-ardhje”, me ç’rast gjashtë herë e ka vizituar Lindjen e Mesme, në përpjekje që ta shtyjë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentin palestinez, Mahmud Abbas, kah vazhdimi i bisedimeve, që ishin ndërprerë në muajin Shtator të vitit 2010.

Bisedimet ishin ndërprerë në Shtator të vitit 2010, kur palestinezët i ndalën kontaktet me shtetin e Izraelit pasi ai refuzoi zgjerimin e moratoriumit për ndaljen e ndërtimeve të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.

Çështjet kryesore që duhet të zgjidhet përfshijnë kufijtë, të ardhmen e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, fatin e refugjatëve palestinezë dhe statusin e Jerusalemit.

Palestinezët e dëshirojnë shtetin e tyre në Bregun Perëndimor, në Rripin e Gazës dhe në pjesën lindore të Jerusalemit, territore këto që Izraeli i ka okupuar në luftën e vitit 1967, por e ka pranuar parimin e këmbimit të territoreve.

Izraelitët e shohin Jerusalemin në tërësi si kryeqytet të shtetit izraelit. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG