Femrat kanë votuar dhe do të votojnë edhe në zgjedhjet komunale, të cilat janë paralajmëruar për 3 nëntor të këtij viti. Kështu thonë disa të rinj, konkretisht femra për rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë.
Ato thonë se vendosin vetë se për kë do të votojnë, kurse meshkujt e quajnë absurde faktin nëse femrat ndikohen apo detyrohen nga dikush se cilin kryetar komune apo përfaqësues partie ta votojnë.
Nita Berisha, qytetare nga Prishtina, thotë se do të dalë në zgjedhje dhe të votojë, atë që vlerëson se është më i arsyeshmi për zhvillimin e komunës së vet.
“Sot votojmë secili për vete. Unë do të votoj atë që e vlerësoj të arsyeshëm dhe mendoj se mund të sjell ndryshime. Ka ndoshta raste të tilla që, gratë detyrohen nga anëtarët e familjes për të votuar. Por, tek unë personalisht, kjo nuk mund të ndodhë, as nga burri, as nga familja e vjehrrit ose familja e gjerë. Vetë do të votoj, por shpresoj të ndryshohet diçka, sepse gjendja është shumë keq”, thotë Nita.
Merita Selimi tregon se nuk do të dalë në zgjedhje, pasi nuk konsideron se i kanë përmbushur premtimet që kanë dhënë në zgjedhjet e kaluara.
Por, megjithatë ajo thotë se vota është personale dhe gjithnjë ka vendosur vetë.
“Asnjë premtim që kanë dhënë, nuk është përmbushur, nuk po mendojnë fare për qytetarët, kështu që po rri dhe nuk do të dal. Unë kam vendosur vetë, askush nuk mund të më detyrojë të dal, apo kujt t’i jap votën”, shprehet Merita.
Sidoqoftë, kjo çështje ditë më parë është ngritur nga shoqëria civile, ku është thënë se përfshirja e plotë e gruas në procesin zgjedhor mungon, si dhe zgjedhjet e kaluara janë shoqëruar me parregullsi të shumta në kontekstin gjinor, si prani e theksuar e votimit familjar.
Florim Rrudhani, student në Fakultetin Filozofik, e quan absurd vetëm faktin se në shoqërinë kosovare ende diskutohet e drejta e votës së lirë dhe demokratike:
“Personalisht, mua më duket edhe absurde, por edhe nëse ndodh, është një nivel i ulët intelektual në familje, për shkak se vota është e lirë dhe vota tregon se a je i formuar personalisht që në mënyrë të pavarur për të votuar për personin që vet e sheh adekuat për vendin”.
Nëse gratë detyrohen për një gjë të tillë, ato vetë duhet ngrenë zërin për këtë si e drejtë themelore e çdokujt, para se të mendojnë apo të diskutojë dikush tjetër, thotë Alban Bajraktari, profesor i Gjuhës Angleze. Ai e konsideron të turpshme këtë çështje, pikërisht nëse kjo ndodh te gjeneratat e reja, ku të gjithë dinë shkrim- lexim.
“Duhet të kuptohet se çdokush ka të drejtë të shprehë mendimin e vet dhe të simpatizojë dhe të japë votën për atë që ai vetë konsideron se është e drejtë”, shprehet Albani.
Në Kushtetutën e Republikës se Kosovës, thuhet se çdo shtetas i Republikës së Kosovës, që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor.
Vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.
Lulzim Bajraktari, konsideron se procesi zgjedhor mund të diskutohet në familje, por jo të ndikohet drejtpërdrejt ndonjë anëtar i familjes:
“Te gjeneratat e reja, nuk mendoj se është shumë i theksuar. Por, ne jemi shqiptarë dhe shpesh bëjmë ‘tifozllëk’ si për sport, si për parti. Në çdo familje besoj se ka diskutime për këtë çështje, por është e papranueshme të detyrohet ndonjë pjesëtar i familjes se kujt t’i japë votën”.
Një e re tjetër, nga Prishtina, thotë se nuk detyrohet nga askush, ndërkaq ajo shprehet se femrat duhet të dalin në zgjedhje pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ketë ndryshime.
Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, organizatë kjo që promovon zgjedhje të lira dhe demokratike, vetë fakti që një grua vjen e shoqëruar nga burri i saj, babai apo vëllai dhe e dirigjon atë se kujt duhet ajo grua t’ia japë votën, është fenomen lehtë i identifikuar nga vëzhguesit zgjedhorë, por jo i kundërshtuar nga komisionarët në vendvotim.