Ndërlidhjet

Për gjashtë muaj, 205 raste të kontrabandës



Autoritetet doganore të Kosovës brenda gjashtë muajve kanë evidentuar 205 raste të kontrabandës me mallra të ndryshme.

Vlera e mallit që është ndaluar nga zyrtarët doganorë arrin vlerën prej gjysmë milion euro, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

Pikat kufitare mes Kosovës e Serbisë mbesin dy nga pikëkalimet ku më së shumti tentohet të bëhet kontrabanda.

Mallrat në mënyrë ilegale tentohen të futen më së shumti përmes rrugëve alternative, thekson Stavileci, në pamundësi që këtë ta bëjnë përmes pikave kufitare.

“Që nga arritja e marrëveshjes se IBM dhe vendosjes së oficerëve doganorë kemi vërejtur rënie të dukshme të kontrabandës. Kjo rënie vërehet te rritja e të hyrave dhe ulje të numrit të kundërvajtjeve që kapen në atë pjesë”, thotë Stavileci.

Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, që ndryshe njihet edhe si IBM ka filluar të zbatohet në dhjetor të vitit të kaluar.

Doganat e Kosovës janë kontribuuesi kryesor i buxhetit të shtetit, i cili grumbullon për arkën e shtetit tri tatime kryesore: Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në import, taksën doganore dhe akcizën.

Të hyrat nga Dogana, shton Stavilecit, sipas raportit gjashtëmujor të këtij viti kanë shënuar ngritje për 3.6 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Nëse përkthehet në të holla atëherë i bie se i kemi rritur të hyrat për 14 milionë euro. Në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar kemi mbledhur 435, ndërkaq në periudhën e njëjtë të këtij viti kemi mbledhur 450 milionë euro. Kjo është një rritje e mirë. Rritjet janë në akcizën e brendshme dhe në mbledhjen e taksave nga lojërat e fatit”, thekson Stavileci.

Kalimi nga ekonomia joformale në atë formale ishte caktuar nga Qeveria e Kosovës në prioritetet e planit ekonomik 2011 - 2014.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Milazim Abazi, thotë për Radion Evropa e Lirë se kontrabanda dhe ekonomia infomale po dëmtojnë buxhetin e Kosovës dhe po krijojnë konkurrencë të padrejtë në treg.

Shteti i Kosovës duhet të bëjë çmos që të ndalë kontrabandën edhe në veri te Kosovës edhe në pikat tjera kufitare. IBM nuk është duke u respektuar në mënyrë të duhur. Doganierët kosovarë duhet të jenë kudo të pikat kufitare”, thotë Abazi.

Abazi thotë se prioriteti i qeverisë për të luftuar kontrabandën dhe ekonominë informale ka mbetur vetëm në letër dhe nuk është zbatuar.

“Në ende kemi plotë biznese që funksionojnë pa arka fiskale. Në këtë drejtim qeveria dhe Administratat Tatimore duhet të jetë më efikase. Kosova ka potenciale që në një situatë të funsinimit të mirë të ketë një buxhet të dyfishuar”, pohon Abazi.

Sa u përket rasteve të kontrabandës me mallra në vite, të dhënat zyrtare të Doganave të Kosovës tregojnë se në vitin 2008 janë 2015 raste të kontrabandës; në vitin 2010, 194 raste; 281 raste në vitin 2011 dhe 206 raste në vitin 2012.
XS
SM
MD
LG