Ndërlidhjet

Daka: Në veri, OSBE-ja do të ketë rolin e “postierit”


Valdete Daka

Valdete Daka

KQZ-ja nuk ka qasje në veri dhe për atë arsye është kërkuar ndihma e OSBE-së, e cila do të luajë rolin e ndërmjetësit dhe fizikisht do t’i kryejë disa veprime, të cilat ne, si KQZ, nuk kemi pasur mundësi deri më tani që t’i kryejmë në atë pjesë, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Daka, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 3 nëntor. Cilat janë problemet që janë paraqitur në këtë kohë?

VALDETE DAKA
Deri më tani nuk mund të them se kemi pasur ndonjë problem të caktuar, i cili seriozisht do ta kishte penguar përgatitjen e zgjedhjeve. Ka sfida normalisht, duke u nisur nga fakti se për herë të parë edhe në veri do të organizohen zgjedhjet. Do të ketë sfida edhe më tutje, por megjithatë në KQZ është një klimë e tillë që zgjedhjet të organizohen sa më mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundmi është diskutuar shumë për çështjen e fletëvotimeve jashtë vendit dhe është bërë zhurmë. Çka mund të na thoni për këtë rast?

VALDETE DAKA
Ta them të drejtën kjo zhurmë është çuar nga mediat, jo nga KQZ-ja dhe kjo zhurmë u ngrit pa nevojë duke prejudikuar çështjen, sepse fletëvotimi është i përcaktuar me ligj edhe përmbajtja e fletëvotimeve ende nuk është përcaktuar. Kështu që, unë nuk shoh kurrfarë pengese në këtë drejtim dhe nuk e shoh si çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Daka, pse është sfidë organizimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës?

VALDETE DAKA
Po, nuk duhet menduar shumë se pse. Së pari në pjesën veriore një kohë të gjatë as institucionet e tjera, e as ne, nuk kemi pasur qasje as fizike. Së pari është siguria e lëvizjes së lirë në pjesën veriore. Pastaj e dimë që atje nuk ka institucione, të cilat janë të vendosura nga institucionet qendrore.
Nuk kemi zyrtar tanë, të cilët do të kishin komunikuar me ne si më parë.

Pra, është sfidë, sepse nuk kemi qasje konkretisht edhe për atë arsye edhe është kërkuar ndihma e OSBE-së dhe në këtë drejtim OSBE-ja do të luajë rolin e ndërmjetësit dhe fizikisht do t’i kryejë disa veprime, të cilat ne, si KQZ, nuk kemi pasur mundësi deri më tani që t’i kryejmë në atë pjesë.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të ketë përfaqësues të KQZ-së në ditën e votimit në veri dhe sa vendvotime do të hapen?

VALDETE DAKA
Sa i takon vendvotimeve ende nuk e di saktësisht, sepse ende nuk i kemi përcaktuar. Ndërsa, zyrtarë natyrisht që do të ketë. Janë anëtarët e KKZ-ve, të cilët janë emëruar, janë zyrtarët komunal, të cilët janë emëruar nga KQZ-ja. Pra, ata janë zyrtarë të KQZ-së dhe natyrisht që do të jenë në pjesën veriore në ditën e zgjedhjeve, por edhe para ditës së zgjedhjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë kësaj jave ju keni qëndruar në Bruksel me grupet punuese për të diskutuar për zgjedhjet e 3 nëntorit. Për çka keni diskutuar me palën serbe dhe a jeni dakorduar për ndonjë gjë?

VALDETE DAKA
Po, në Bruksel kemi biseduar për votimin jashtë Kosovës dhe për ofrimin e mundësisë të gjithë qytetarëve që janë jashtë Kosovës dhe që kanë të drejtë vote, të votojnë, meqenëse e dimë që ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka marrëveshje sa i takon postës dhe se nuk ekziston shkëmbimi i shërbimeve postare.

Atëherë është vendosur dhe në të vërtetë është arritur marrëveshja që në kuadër të marrëveshjes ekzistuese dhe në kuadër të asaj që është arritur në Bruksel, votimi jashtë Kosovës të bëhet konform dispozitave të Ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme. Është diskutuar t’i jepet një rol OSBE-së, e ai rol është faktikisht grumbullimi i votave në një pikë qendrore, në të cilën do të sillen votat nga qytetarët, që kanë të drejtë vote, të cilat pastaj do të sillen në KQZ.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të votojnë ata persona që nuk janë banorë të Kosovës e që jetojnë jashtë?

VALDETE DAKA
Ata persona do të kenë mundësi që të aplikojnë së pari për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, të cilat aplikacione do t’i mbledhë OSBE-ja dhe do t’i sjellë në KQZ. Do të verifikohen, pas verifikimit, ata që i plotësojnë kushtet të jenë votues jashtë Kosovës, do t’ju kthehen ato regjistrime së bashku me pakot e votimit.

Pako e votimit nënkupton zarfin e fshehtësisë dhe fletëvotimin, dhe pasi që të votojnë, do t’i sjellin përsëri tek OSBE-ja, e cila do t’i sjell në KQZ. Pra, OSBE-ja vetëm e luan rolin e postierit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fletëvotimet e këtyre zgjedhjeve, a do të ketë simbole shtetërore?

VALDETE DAKA
Fletëvotimi do të jetë konform dispozitave ligjore të ligjeve që janë në fuqi në Kosovë. Me siguri që do të ketë, siç thashë, sipas ligjeve që janë në fuqi.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni deklaruar që OSBE-ja do të ndihmoj në organizimin e zgjedhjeve. Ku do të jetë konkretisht ndihma e kësaj organizate?

VALDETE DAKA
Në të gjitha aspektet. Ju thashë se në veri aty ku ne fizikisht nuk mundemi të jemi, do të jetë OSBE-ja. Dhe, këtë mandat e ka duke u nisur nga marrëveshja e parë dhe nga konkluzionet, të cilat janë arritur në Bruksel. Pra, OSBE-ja, aty ku KQZ-ja, nuk mund të jetë fizikisht dhe në shumicën e rasteve do të luajë rolin e postierit sikur ai që ju thashë për pjesën e votimit jashtë Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku nuk do të mund të jetë KQZ-ja?

VALDETE DAKA
KQZ-ja nuk do të mund të jetë kur partitë kërkojnë të aplikojnë për certifikim, sepse ne nuk kemi zyre, kemi zyrtarin komunal zgjedhor në pjesën veriore. Por, nëse subjektet politike nuk dëshirojnë që fizikisht t’i sjellin në KQZ, do t’i sjellin te OSBE-ja. Pastaj do ta përcjellim punën e KKZ-ve, punën ditore. Do të jenë aty, në një farë mënyre dhe si monitorues që mos të ketë ndonjë keqkuptim, meqenëse këto zgjedhje mbahen për herë të parë do të kujdesen për të gjitha aspektet sikur ne që kujdesimi në pjesën tjetër të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa parti politike serbe prisni që do të marrin pjesë në zgjedhje?

VALDETE DAKA
Nuk e di, sepse ende nuk kemi aplikim nga asnjë parti apo subjekt politik.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG