Ndërlidhjet

Babai i Snowdenit siguron vizë për të vizituar të birin


Lon Snowden
Lon Snowden
Babai i ish-kontraktorit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden, ka thënë se ka siguruar vizë për të vizituar djalin e tij në Rusi.

Lon Snowden nuk ka saktësuar se kur mendon të realizojë vizitën.

Duke folur të dielën për televizionin amerikan ABC, ai ka shfaqur dëshirën që djali i tij të kthehet në shtëpi.

Megjithatë, ka shprehur bindjen se nuk ka gjasa që djali i tij të përballet me gjykim të drejtë, marrë parasysh deklaratat publike të autoriteteve qeveritare, të cilat e kanë cilësuar atë si tradhtar.

Edward Snowden, ish-kontraktor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, përballet me akuzat për spiunazh në SHBA, pasi ka zbuluar informacione të klasifikuara në lidhje me programet amerikane të mbikëqyrjes.

Vendimi i Rusisë për t’i ofruar atij azil të përkohshëm ka qenë një nga disa çështjet që kanë çuar presidentin e SHBA-së, Barack Obama, të anulojë takimin me presidentin rus, Vladimir Putin, muajin e ardhshëm në Moskë.
XS
SM
MD
LG