Ndërlidhjet

Kur e djathta ishte e drejtë dhe e majta e gabuar


Ilustrim
Ilustrim
Teksa rritej në fshatin Temirlan të Kazakistanit, Dina përballej shpesh me kritika. Nëse merrte një pirun me dorën e majtë, dikush do t’ia lëvizte atë në të djathtën. Në shkollë shkruante po ashtu me dorën e majtë dhe mësueset e saj, të shqetësuara, do ta nxisnin për të shkruar me dorën “normale”.

“Unë bëja përpjekje të shkruaj me dorën e djathtë, por nuk funksiononte. Kam qenë e vetmja në shkollën time që kam qenë mëngjarashe. Ka qenë kohë e vështirë, sepse secili më thërriste mëngjarashe. Në gjuhën kazake është ‘solaqay’. Kjo nënkupton një person që shkruan me dorën e majtë, por në atë kohë kishte disa konotacione negative”, rrëfen Dina.

Bota ka shënuar të martën Ditën Ndërkombëtare të Mëngjarashëve dhe Dina është një nga 900 milionë njerëz që janë mëngjarashë, ose të predispozuar për të përdorur dorën e majtë në shkrim dhe në shumë funksione të tjera manuale.

Mëngjarashët e lindur besohet se përbëjnë rreth 13 për qind të popullsisë. Por, disa thonë se ky numër është më i lartë dhe se shumë mëngjarashë janë detyruar të ndryshojnë përdorimin e duarve, për shkak të frikës së pabazuar se mëngjarashë janë me aftësi të kufizuara ose thjeshtë të pafat.

Stigma ka qenë veçanërisht e përhapur në ish-Bashkimin Sovjetik. Gennady Chichkanov është psikolog klinik me seli në Moskë.

“Ishte thjesht mungesë e njohurive, që ka luajtur rol. Është e thjeshtë kur një fëmijë shkruan me dorën e djathtë. Është më lehtë t’i vihet diçka në dorën e djathtë dhe t’i thuhet ‘shkruaj’. Kështu ishte në Bashkimin Sovjetik”, thotë Chichkanov.

Në shumë gjuhë, fjala “e djathtë” jo vetëm që është përdorur për të përcaktuar një drejtim, por për të ditur edhe vërtetësinë, korrektësinë. Në anën tjetër, fjala “e majtë”, në gjuhët si rusishtja, shpesh është përdorur për të treguar diçka të rreme ose të një cilësie të dobët.

Për më shumë, dora e djathtë përdoret për zotimet me zemër, përshëndetjet ushtarake dhe për bërjen e shenjës së kryqit. Në Islam, rregullat e mirësjelljes kërkojnë që një person të hyjë në shtëpi ose xhami me këmbën e djathtë, por në tualet myslimanët hyjnë me këmbën e majtë.

Me tradita të tilla në mendje, mund të duket e arsyeshme që fëmijët mëngjarashë të nxiten në përdorimin e dorës së djathtë.

Shkenca, megjithatë, ofron argumentet e saj bindëse për të lënë të qetë mëngjarashët. Truri është i ndarë në dy hemisfera, secila me funksionin e saj të veçantë dhe secila drejton funksione motorike të anëve të kundërta të trupit.

Me pak fjalë, ana e majtë e trurit - hemisfera për gjuhë, matematikë dhe mendim racional - kontrollon anën e djathtë të trupit. Ana e djathtë e trurit - më së shpeshti e lidhur me impulse krijuese, emocionale - kontrollon anën e majtë të trupit.

Të detyrosh fëmijën për të ndryshuar përdorimin e duarve mund të shkaktojë kaos të konsiderueshëm, pasi truri lufton për të krijuar shtigje të reja të komunikimit me trupin.

Po ashtu është fakt se njerëzit kanë edhe një sy, edhe një këmbë dominante, përveç dorës. Chichkanov thotë se kjo mund të ketë pasoja shkatërruese në aftësinë e fëmijës për të mësuar.

“Nëse një mëngjarash shkruan me dorën e djathtë, është keq, sepse ne jemi duke i ndryshuar dorën, por jo edhe syrin apo këmbën. Pra, një fëmijë që ka ndryshuar dorën, është më i prirë të hutohet. Ai absorbon informacionin më dobët. Si rezultat, ai mund të bëhet më nervoz. Ky lloj procesi nuk i përmirëson shanset e tij për sukses në shkollë”, thotë Chichkanov.

Çdo dyshim për mëngjarashët bie poshtë me lehtësi nëse u hidhet një vështrim disa prej njerëzve më të arritur në botë. Mëngjarashët e famshëm përfshijnë: Leonardo Da Vincin, Albert Einsteinin, Alexander Pushkinin, Paul McCartneyn, Barack Obaman dhe Martina Navratilovan.

Ka po ashtu spekulime se presidenti rus, Vladimir Putin, është mëngjarash i fshehur. Megjithëse udhëheqësi i Rusisë shkruan me dorën e djathtë, mban orën në dorën e djathtë, ai është parë duke bërë kryq me të majtën.(v.tela)
XS
SM
MD
LG