Ndërlidhjet

Ndërhyrja në Kosovë, model i mundshëm për Sirinë


Siri, gusht 2013...
Siri, gusht 2013...
Derisa presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, po peshon opsionet për të reaguar ndaj sulmit të dyshuar kimik në Siri, ndihmësit e tij të sigurisë kombëtare po shqyrtojnë luftën ajrore të NATO-s në Kosovë si model të mundshëm për të vepruar pa mandat të Kombeve të Bashkuara, shkruan gazeta amerikane "New York Times".

Meqë Rusia, ka shumë gjasa, që t’iu vërë veto vendimeve të Këshillit të Sigurimit për aksion ushtarak, presidenti duket se po lufton për të anashkaluar Kombet e Bashkuara, edhe pse ka paralajmëruar se një gjë e tillë kërkon koalicion të fuqishëm ndërkombëtar dhe arsyetim ligjor, shkruan gazeta.

“Nëse Shtetet e Bashkuara ndërhyjnë dhe sulmojnë një shtet tjetër, pa mandat të Kombeve të Bashkuara dhe pa prova të qarta, atëherë shtrohet pyetja nëse ligji ndërkombëtar mbështet një gjë të tillë”, ka thënë Obama për televizionin CNN, në komentet e para të tij publike, pas sulmit të së mërkurës.

Obama ka thënë se sulmi paraqet shqetësim të madh dhe ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara kanë kohë të kufizuar për përgjigje. Megjithatë, nga hetuesit e Kombeve të Bashkuara, presidenti ka thënë se është e nevojshme të konfirmohet nëse janë përdorur armët kimike.

Kosova është një precedent i qartë për Obamën, sepse, ashtu si edhe në Siri, civilët janë vrarë dhe Rusia ka pasur lidhje të afërta me autoritetet qeveritare, të akuzuara për abuzim, shkruan NYT. Në vitin 1999, presidenti Bill Clinton ka shfrytëzuar miratimin e NATO-s dhe logjikën e mbrojtjes së një popullsie të cenueshme për të justifikuar 78 ditët e sulmeve ajrore.

Një zyrtar i lartë i administratës ka thënë se precedenti i Kosovës është një nga temat që diskutohet vazhdimisht në Shtëpinë e Bardhë, sa i përket krizës në Siri.
Zyrtarët po ashtu janë duke diskutuar nëse goditja ushtarake do të ketë pasoja të padëshiruara, do të destabilizojë fqinjët, si Libani, apo do të çojë në flukse më të mëdha refugjatësh në Jordani, Turqi dhe Egjipt.

“Por, Kosova, sigurisht është një precedent i diçkaje që është e ngjashme”, citon NYT zyrtarin amerikan, i cili ka pranuar të flasë vetëm në kushte anonimiteti.

Vitin e kaluar, presidenti Obama ka thënë se përdorimi i armëve kimike në Siri do të tejkalonte “vijën e kuqe” dhe do të çonte në reagim të ashpër nga SHBA-ja.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë nisur të përgatisin forca detare dhe asete të tjera, në rast se merret vendim për ndërhyrje ushtarake në Siri.

Hagel ka thënë se presidenti Obama ka kërkuar nga Pentagoni që të përgatisë opsionet ushtarake për Sirinë.

“Departamenti i Mbrojtjes është përgjegjës për t’i siguruar presidentit opsionet për të gjitha të papriturat. Kjo kërkon pozicionimin e forcave tona, të aseteve tona, që të jenë në gjendje për të zbatuar opsione të ndryshme”, ka thënë Hagel, duke mos pranuar të japë hollësi të tjera.

Të premten, Qeveria ruse i ka bërë thirrje presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, që t’iu lejojë hetuesve të OKB-së qasje në zonat e Damaskut, ku ka ndodhur sulmi. Por, diplomatët amerikanë dhe të huaj thonë se veprimi i Rusisë nuk reflekton ndonjë ndryshim në mbështetjen për Assadin apo në rezistencën e saj ndaj masave ndëshkuese në Këshillin e Sigurimit.

Damasku i ka cilësuar akuzat për përdorim të armëve kimike si “të palogjikshme dhe të fabrikuara”.

Kombet e Bashkuara thonë se mbi 100,000 njerëz kanë humbur jetën prejse ka nisur kryengritja kundër Bashar al-Assadit, në mars të vitit 2011.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG