Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Ndalesat për importin e grurit hiqen më 2 shtator


Qeveria e Maqedonisë në mbledhjen e saj të rregullt ka marrë vendim që të heqë ndalesat për importin e grurit më 2 shtator por jo edhe të miellit.

“Është konstatuar se është stabilizuar tregu i brendshëm sa i përket grurit dhe miellit, gjegjësish i gjithë prodhimi i grurit vendor është blerë dhe për këtë arsye Qeveria e Maqedonisë ka vendosur të shfuqizojë vendimin e mëparshëm duke vendosur masa kushtëzuese për importin e grurit dhe miellit".

"Në fuqi mbetet masa e kushtëzuar për importin e miellit, gjersa ndalesat për importin e grurit gjegjësisht masat e kushtëzuar për import hiqen duke hyrë në fuqi ky vendim nga dy shtatori”, bëri të ditur Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë së Maqedonisë.

Ai tha se sipas analizave, si importues të mëdhenj të grurit dhe miellit në Maqedoni janë kompanitë të cilat vijnë nga Serbia.

Në këtë rast, sipas Hoxhës, kompanitë e Kosovës paraqiten si importues të grurit dhe miellit vetëm me 2% nga sasia e përgjithshme që hyn në Maqedoni.

Hoxha shtoi se Marrëveshja e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë, CEFTA, nuk është shkelur nga ana e Maqedonisë por konform kësaj marrëveshjeje janë marrë masa për mbrojtjen e prodhuesve vendorë me kërkesë të prodhuesve të Maqedonisë.

Ministria e Bujqësisë e Maqedonisë ka bërë të ditur se në 18 muajt e kaluar në Maqedoni janë importuar rreth 150 mijë tonë grurë dhe mbi 70 mijë tonë miell.

Kjo ministri gjithashtu ka informuar se është përgatitur propozim-ligji për cilësi të prodhimeve bujqësore me të cilin, mes tjerash, janë paraparë shenja mbrojtëse për import të miellit, ku pritet të vendoset kontroll i nevojshëm për kualitetin e grurit dhe miellit në tregun e Maqedonisë. (z.jajaga).
XS
SM
MD
LG