Ndërlidhjet

Rusakov: Seminari ka ruajtur traditën e albanologjisë


Aleksandar Rusakov

Aleksandar Rusakov

"Kosova ka bërë ndryshime Kolosale që nga vitet e tetëdhjeta e deri më tash, por Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare nuk e ka ndryshuar esencën dhe i ka ruajtur traditat e mira, që janë karakteristike për të", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, albanologu rus Aleksandar Rusakov, profesor nga Shën Peterburgu.

Radio Evropa e Lirë
Profesor Rusakov, ju jeni në Prishtinë për të satën herë. Nga kolegët e juaj kemi dëgjuar t’ju quajnë veteran i Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës shqiptare. Prej kur vini në seminar dhe cilat janë ndryshimet që i vëreni deri më sot?

Aleksandar Rusakov
Unë kam qenë në Prishtinë, në përgjithësi, jo vetëm në seminar, por edhe në konferencat tjera. Kam qenë 13 ose 14 herë. Për herën e parë kam qenë këtu në vitin 1978. Pastaj në vitin 1988, në vitin 1990 dhe pas çlirimit të Kosovës kam qenë për herë të parë në vitin 2000. kështu që, e kam parë Kosovën në situata krejt të ndryshme, edhe në kohën e Jugosllavisë, edhe në kohën e okupimit serb në vitet 90, por edhe pas çlirimit.

Nga njëra anë ka ndryshime kolosale në qytetin e Prishtinës që nga vitet 80. Nga ana tjetër, mund të them se Seminari i gjuhës shqipe është një institut që mund të themi se nuk ndryshon shumë. Kjo është mirë, sepse seminari dhe kryesia e seminarit i ruajnë traditat e mira, që ishin karakteristike për këtë seminar që nga fillimi.

Në vitet 70, pothuajse për të gjithë njerëzit që merreshin me albanologjinë, Seminari i gjuhës shqipe në Prishtinë, ishte vendi i vetëm në botë ku ata mund të takoheshin me kolegët, të dëgjonin gjuhën shqipe, të flisnin shqip dhe të mësonin shqip, sepse në Tiranën e kohës së Enver Hoxhës, pothuajse nuk kishte mundësi të vinin në mënyrë të lirë. Prandaj, rëndësia e Seminarit të Prishtinës për zhvillimin e albanologjisë në gjithë botën, më duket se është kolosale, shumë e madhe.

Radio Evropa e Lirë
Disa kolegë tuaj, albanologë, e kanë quajtur këtë seminar si ambasadorin më të mirë të Kosovës në botë...

Aleksandar Rusakov
Unë jam dakord. Tamam ashtu. Për njerëzit nga e gjithë bota kjo është një mundësi që ta njohin gjuhën shqipe, popullin shqiptarë dhe kulturën e këtij populli.

Radio Evropa e Lirë
Ju vini tash në një kohë krejtësisht tjetër, ashtu siç e përmendët, pas luftës në Kosovë dhe ju sot keni ligjëruar në kuadër të këtij seminari. Ligjërata juaj ka qenë për perfektin në gjuhën shqipe brenda Korpusit elektronik. Çfarë ka përmbajtur ligjërata dhe çfarë ka ofruar?

Aleksandar Rusakov
Po, ne kishim një ligjëratë të përbashkët me kolegen time, Maria Morozova, për projektin e Korpusit të gjuhës shqipe. Ne së bashku punojmë mbi këtë projekt. Më duket se ky është një projekt i rëndësishëm.

Pothuajse për të gjitha gjuhët e zhvilluara të Evropës ekzistojnë tani korpuset elektronike, një mjet që u lejon studiuesve të studiojnë gjuhën në mënyrë më të përshtatshme, më të shpejtë, më moderne. Dhe, për gjuhën shqipe, korpusi mbi të cilin ne punojmë, është vetëm një shembull i parë i projektit të tipit të tillë.

Radio Evropa e Lirë
A ka të arritura brenda këtij projekti?

Aleksandar Rusakov
Po. Ne filluam të punojmë mbi këtë projekt dy vjet më parë dhe tani korpusi punon. Ai është i lirë në internet dhe të gjithë studiuesit mund ta përdorin këtë korpus në mënyrë të lirë. Pjesa e dytë e ligjëratës, pjesa për perfektin, për të cilin unë kam treguar sot, është shembulli i parë për studimet e bëra mbi bazën e korpusit tonë të ri.

Radio Evropa e Lirë
Në fund, ju vini nga Rusia. A ndjeheni ndonjëherë në siklet, për arsyen se vini nga një vend, i cili nuk e ka njohur Kosovën ende?

Aleksandar Rusakov
Po, unë kam një keqardhje, sepse më duket që do të ishte më mirë nëse ndërmjet Rusisë dhe Kosovës do të kishim një marrëdhënie të mirë.

Por, nuk kam ndonjë siklet personal, sepse unë gjithë këto vite, edhe në kohën e Jugosllavisë, në kohën e okupimit, në kohën e luftës dhe në kohën e çlirimit, si dhe pas çlirimit, kisha marrëdhënie shumë të mira me kolegët nga Kosova.

Këto marrëdhënie nuk ishin prerë kurrë dhe vazhdojnë edhe tani dhe shpresoj se do të vazhdojnë edhe më tej. Edhe me këtë projektin për korpusin, marrin pjesë kolegë nga Kosova.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG