Ndërlidhjet

logo-print
Këtë pranverë, fondacioni “MarsOne” ka filluar kërkimin e katër njerëzve që ata thonë se do të bëhen banorët e parë njerëz në Mars.

Tash, kur ka mbetur vetëm një ditë para kalimit të afatit, më shumë se 150 mijë persona kanë aplikuar nga e gjithë bota – secili duke ofruar argumentin e tij pse është zgjedhja më e mirë.

Disa prej tyre kanë ofruar sqarime gazmore.

“Unë jam Filipi, dhe do të doja të shkoj në Mars sepse unë jam vetë marsian dhe juve ju duhet një banor vendor që t’ju ndihmojë atje”.

Dikush tjetër, siç është Murtezai nga Irani, thjeshtë dëshpërimisht dëshiron të shkojë në Mars.

"Si inxhinier iranian, ma merr mendja do të kisha një jetë më me ndikim në Mars derisa bojkotohem nga çfarëdo që bëj në Tokë”.

Disa të tjerë thjeshtë e kanë pasion këtë punë, siç është aplikacioni i një shkencëtareje 20 vjeçare bjelloruse, Viktoria.

"Unë do të doja të shkoj në Mars sepse është thjeshtë një privilegj, një mundësi për të kuptuar më mirë psikologjinë njerëzore, trupin dhe limitet e tij. Një mundësi për të mësuar për botën e re dhe t'ua mësosh mrekullitë e saj të tjerëve".

MarsOne, një sipërmarrje jo fitimprurëse me bazë në qytetin holandez, Amersfoort, është një nga dy sipërmarrjet që kanë interes për Marsin, planeti i kuqërremtë që ka tërhequr interesin e shumë vëzhguesve të hapësirës për vite të tëra.

Mirëpo, MarsOne është i vetmi projekt që ka ambicie për krijimin e një kolonie të përhershme në Mars. Iniciativa e dytë, “Inspiration Mars” planifikon që në vitin 2018 të dërgojë një ekip prej dy personave për 500 ditë, të cilët vetëm do të sillen rreth e qark Marsit derisa të kthehen në Tokë.

Ndryshe nga programet e hapësirës që financohen nga qeveritë siç është NASA apo Roscosmos, MarsONe është duke e mbledhur vetë shumën prej 6 miliardë dollarëve për projektin, pjesërisht duke i kërkuar udhëtarëve potencialë të hapësirës që të paguajnë një tarifë prej 40 dollarëve.

Sipërmarrja është duke planifikuar që raundin e fundit të përzgjedhjes ta transmetojë dhe më vonë ta lansojë edhe një televizion 24 orësh me programe të zhanrit “Reality” që do të përcjell trajnimin dhe udhëtimin eventual njëkahësh të katër kolonialistëve të parë drejt planetit të ftohtë dhe të pabanueshëm që i ekspozohet një niveli intensiv të rrezatimit.

Mjeku, Robert Kraft, shkencëtar që më parë ka punuar me NASA-n për efektet fizike dhe psikiatrike të udhëtimeve afatgjata në hapësirë. Kraft, i cili tani është duke e udhëhequr procesin e përzgjedhjes, thotë se ai është duke kërkuar për kandidatë me pasion, shëndet të mirë dhe mbi të gjitha që kanë sens për humor.

"Nëse e shihni një austronaut i cili shkon në një qendër hapësinore, ata duhet të përcjellin një orar minut pas minuti, tekstualisht. Dhe më pas ata kthehen në tokë. Njerëzit tanë në fakt do të qëndrojnë në një planet të ri. Kështu që ata duhet ta ndërtojnë një shoqëri të re. Dhe humori është një nga gjërat kryesore. Kur gjërat të bëhen të vështira apo tensionohet situata, humori mund të qetësojë gjërat”, thotë Kraft.

Kur të përzgjidhen 24 banorë potencialë për Mars, ata do të ndahen në ekipe prej katër vetash. Secili grup do të ketë nga dy meshkuj e dy femra.

Ata më pas do t’i nënshtrohen një trajnimi intensiv disa vjeçar për çdo gjë, prej punëve mekanike, inxhienerisë e deri te stomatologjia emergjente, botanika dhe gjetja e mënyrës më të mirë se si të kalohet koha në një udhëtim hapësinor që do të zgjas hiq më pak se shtatë muaj.

Eventualisht, një ekip i vetëm do të përzgjidhet për lansimin e MarsOne. Kur të arrin ekipi në Mars, ai duhet të ndërtojë vendbanime, të rrisin bimë dhe të përgatisin koloninë për koloninë e dytë me katër banorë që do të nisen drejt Marsit, pas dy vjetësh.

Sipas planit të MarsOne, cikli i tillë do të vazhdojë pafundësisht derisa të krijohet një koloni me njerëz që është e zhvilluar, kryesisht e vet-mjaftueshme në Mars, e kompletuar me qeveri, politikë të hapur për fe, shkolla, fëmijë e madje edhe transmetim përmes internetit të të ashtuquajturit “sportit tokësor” siç është kampionati botëror në futboll, FIFA World Cup”

Kraft, i cili pas pensionimit planifikon një udhëtim për në koloninë e Marsit, planeti ku graviteti prej 38 % thotë se do të jetë si një lloj balsami për nyjet e tij të plakura, vlerëson se afërsia dhe puna e mirë në ekip do të luajnë rolin esencial për të nisur projektin e MarsOne.

Mjeku i lindur në Austri edhe vet ka kaluar 110 ditë në një eksperiment ku janë mbajtur të izoluar njerëz të kulturave e gjinive të ndryshme në Moskë.

Ai është i bindur që ekipet duhet të zgjidhen sipas asaj se sa mirë ja kalojnë me njëri tjetrin, jo sa mirë ata përformojnë individualisht.

"Më sfiduesja është kur njerëzit vijnë nga kultura të ndryshme, me prapavi të ndryshme, gjini të ndryshme. Më pas, kësaj ja shton moshën. Sidoqoftë, ata mund të jenë më së shumti kreativ, më së shumti produktiv dhe ata dalin te jenë edhe grupi më i suksesshëm gjithashtu".

"Shumë njerëz bisedojnë për këtë projekt sikur të ishte vetëm për qejf, por unë them se është edhe edukativ, është një mundësi për të mësuar. Kur ju mund të tregoni se një palestinez është ulur afër një izraeliti, i cili është ulur afër një iraniani i cili ulet afër një amerikani, dhe të gjithë punojnë së bashku për një qëllim të përbashkët, unë mendoj se të gjithë mund të mësojnë nga kjo. Ata do të kenë konflikte. Por, do t’i kalojnë të gjitha”, thotë Kraft.(a.haraqija)
XS
SM
MD
LG