Ndërlidhjet

Kushtetuesja për marrëveshjen me Serbinë dhe buxhetin


(Ilustrim)
(Ilustrim)
Gjykata Kushtetuese e Kosovës përpos vendimit të Ligjit për Amnisti, sot ka shpallur vendim edhe për kushtetueshmërinë e ligjit për buxhet dhe “miratimin e Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të zbatimit për këtë marrëveshje.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka pranuar kërkesën e deputetit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri për vlerësimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të zbatimit për këtë marrëveshje.

Sidoqoftë, Kushtetuesja e ka hedhur poshtë pretendimin se ky ligj dhe plani i zbatimit të saj janë në kundërshtim të aktit më të lartë juridik të Kosovës.

Në anën tjetër, në rastin e ligjit për buxhet, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka hedhur poshtë në tërësi kërkesën duke e “shpallur kërkesën të papranueshme”.

Kjo kërkesë ishte dorëzuar në këtë gjykatë nga deputetja e Vetëvendosjes, Albana Fetoshi dhe 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sipas procedurave të rregullta, Gjykata Kushtetuese e Kosovës njofton se “vendimi i Gjykatës do t’u dorëzohet palëve, do të postohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në kohën e duhur”.
XS
SM
MD
LG