Ndërlidhjet

logo-print

Presion mbi korporatat që sponsorizojnë Olimpiadën në Soçi


Aktivistët e të drejtave homoseksuale në Shtetet e Bashkuara janë të dëshpëruar në korporatat gjigante që sponsorizojnë Lojërat Olimpike Dimoërore në Soçi, më 2014.

Sipas tyre, dhjetë kompanitë partnere të Lojërave janë bashkëfajtore për shtypjen që u bën Rusia të drejtave të komunitetit lesbik, homoseksual, biseksual dhe transsesksual, përderisa mbështesin Lojërat ose bëjnë një gjë të tillë pa marrë ndonjë qëndrim.

Protestuesit si ruso-amerikani Oleg Jelzniakov e dinë se shprehja e shqetësimit për përgjegjësinë e korporatave, në të kaluarën ka qenë e mjaftueshme për t’i bërë kompanitë të zmbrapsen ose të ndërmarrin aksione.

Ai ka qenë njëri nga 50 protestuesit që janë mbledhur nën shenjën e CocaCola-s në Time Square të Nju Jorkut muajin e kaluar, duke derdhur pijen më të famshme në botë në një kanal.

Jelezniakov ka mbajtur në duar një poster me shkronjat e famshme të CocaCola-s, të lidhura me pranga.

Do të shohim se sa seriozë janë në lidhje me integritetin e tyre. Ata kanë shumë për të thënë si sponsori kryesor. Definitivisht mund të bëjnë ndonjë lloj deklarate në Soçi dhe, për më shumë, mund të tërheqin sponosrimin e tyre”, ka thënë Jelezniakov.

Këtë verë, disa prej aktivistëve të njëjtë kanë hedhur votkën ruse në rrugë të Nju Jorkut për të protestuar ndalesën që i ka vënë Rusia të ashtuquajturës “propagandë homoseksuale”.

Ligji, i nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin në muajin qershor, parasheh gjoba dhe dënim eventual me burg për çdo promovim të, siç thuhet, “marrëdhënieve jotradicionale seksuale” te të miturit. Grupet për të drejta thonë se masa institucializon qëndrimet homofobike në Rusi.

Aktivistët dhe zyrtarët perëndimorë kanë shprehur po ashtu sheqetësim se ndalesa mund të hedhë hije të diskriminimit në Lojërat e ardhshme, duke çuar ndoshta në keqtrajtimin e atletëve dhe vizitorëve homoseksualë.

Zyrtarët rusë thonë se shqetësimet e tilla janë të pajustifikueshme.

Derdhja e CocaCola-s ka ndodhur pasi disa protestues janë tubuar para një restoranti të McDonald’s-it në Çikago, i cili është një tjetër sponsor zyrtar i Lojërave.

Një peticion online që u bën thirrje sponsorëve të tërhiqen nga Soçi ka mbledhur mbi 200,000 nënshkrime. Organizatorët e kanë dorëzuar atë në selinë e sponsorit olimpik Proctor & Gamble.

Fushata e të Drejtave të Njeriut, që është grupi më i madh i të drejtave homoseksuale në Shtetet e Bashkuara, u ka shkruar letër shefave ekzekutivë të kompanive sponsorizuese, më 29 gusht.

Zëdhënësi Paul Guequierre thotë se Fushata e të Drejtave të Njeriut nuk kërkon nga kompanitë që të heqin sponsorizimin e tyre, por ta bëjnë të qartë se kanë zgjedhur frymën olimpike dhe jo frymën e Qeverisë ruse.

“Ne u bëjmë thirrje sponsorëve që të përdorin pozicionin e tyre në Lojërat Olimpike dhe të dënojnë ligjet anti-homoseksuale, si ai i Qeverisë ruse, si dhe të sigurojnë vizitorët dhe atletët se do të jenë të qetë. Shpresojmë se do ta bëjnë një gjë të tillë, jo sepse ne kërkojmë, por për faktin se është gjëja e duhur”, thotë Guequierre.

Ka shenja se disa sponsorë kanë nisur të shqetësohen për efektin e ligjit në Lojëra.

“Sidomos sponsorët amerikanë janë të frikësuar se çfarë mund të ndodhë”, ka thënë kryetari i marketingut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Gerhard Heiberg.

Por, asnjëra nga korporatat, të kontaktuara nga Radio Evropa e Lirë, nuk ka thënë se ka plane të tërheqë sponosrizimin ose të ngrejë publikisht çështjen e të drejtave homoseksuale gjatë Lojërave Olimpike.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar të dhjetë sponsorët kryesorë – Atos, CocaCola, Dow, General Electric, McDonald’s, Omega, Panasonic, Proctor & Gamble, Samsung dhe Visa – si dhe disa furnizues zyrtarë.(v.tela)
XS
SM
MD
LG