Ndërlidhjet

Rusia tërheq vërejtjen për "shpërthim terrorizmi"

  • RFE /RL

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov ka paralajmëruar se çfarëdo sulmi ushtarak në Siri nga SHBA-të do të shkaktonte një “shpërthim të terrorizmit” dhe do të nxiste një valë të re të refugjatëve.

Ai ka folur pas takimit me ministrin e jashtëm sirian, Walid al Muallem i cili po qëndron në Moskë.

"Çdo herë e më shumë figura të rëndësishme politike dhe shtetërore pajtohen me qasjen tonë se përdorimi i forcës do të çonte te një përhapje e terrorizmit në Siri dhe në vendet fqinje si dhe do të shkaktonte një rritje të madhe të refugjatëve, që tashmë vetëm është duke ndodhur pasi SHBA-të e kanë treguar qëllimin për ta sulmuar Republikën Arabe të Sirisë”, ka thënë Lavrov

Lavrov ka thënë se Rusia është duke i ndërmarrë hapat për të parandaluar atë që ai e ka quajtur “situatë e dëmshme” në Lindje të Mesme.

Ai ka thënë se zgjidhja politike mbetet opsion ndërsa Moska është e gatshme që të ftojë në kryeqytetin rus të gjitha palët e interesuara për një zgjidhje politike.

Ndërkaq ministri i jashtëm sirian ka thënë se regjimi sirian është i gatshëm për dialog me të gjitha forcat politike që janë në favor të rivendosjes së paqes në Siri.

Muellem i ka përcjellë falënderimet personale të presidentit sirian, Bashar al Assad për homologun e tij rus, Vladimir Putin, për përkrahjen e dhënë “gjatë dhe pas samitit të 20 shteteve më të industrializuara që u mbajt në Shën Petersburg, javën e kaluar.

Presidenti rus gjatë samitit në fjalë u zotua që të ndihmojë Sirinë nëse sulmohet nga SHBA-të. Moska nuk është e bindur që regjimi i Assadit qëndron prapa sulmeve vrasëse me armë kimike në periferi të Damaskut, muajin e kaluar.

SHBA-të janë të bindur që sulmi është kryer nga forcat qeveritare.

Administrata e presidentit amerikan, Barack Obama po i vazhdon presionet ndaj ligjvënësve amerikan për të siguruar autorizimin për sulm ushtarak kundër qeverisë siriane të cilën e bëjnë fajtor për sulmin kimik në luftën që po zhvillohet në Siri.

Mbetet ende e paqartë nëse kërkesa e Obamës do ta fitojë përkrahjen e nevojshme.

Sekretari amerikani i shtetit, John Kerry është duke e përmbyllur një turne evropian të hënën që është pjesë e përpjekjeve të Obamës për të bindur liderët për nevojën e intervenimit ushtarak.

Gjatë takimit me homologun e tij britanik, William Hague në Londër, Kerry e ka pranuar se për konfliktin në Siri nuk ka zgjidhje ushtarake, por e ka përsëritur rëndësinë e ndëshkimit të regjimit sirian për shkak të përdorimit të armëve kimike.

"Më lejoni të jem i qartë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti amerikan, Barack Obama, unë dhe të tjerë janë tërësisht të pajtimit që fundi i konfliktit në Siri kërkon të jetë politik. Nuk ka zgjidhje ushtarake dhe ne nuk kemi iluzione për këtë”, ka thënë sekretari amerikan Kerry.

Kerry gjithashtu ka thënë se “rreziku i mosveprimit është më i madh se sa rreziku i ndërmarrjes së një veprimi”.

Ai gjithashtu ka thënë se Siria do të mund të evitonte një sulm ushtarak nëse Assadi do ja dorëzonte tërë arsenalin e armëve kimike komunitetit ndërkombëtar brenda javës së ardhshme, por ka shtuar se presidenti sirian nuk e ka në plan këtë.

Hague në anën tjetër ka thënë se SHBA-të e kanë përkrahjen e plotë të Britanisë me gjithë faktin që Londra nuk do i bashkohet një sulmi ushtarak.

Parlamenti britanik ka votuar kundër pjesëmarrjes në një sulm të mundshëm.

Gjithashtu të hënën, Komisionarja e Latë për të Drejtat e Njeriut e OKB-së, Navi Pillay ka paralajmëruar për një përgjigje ushtarake ndaj krizës siriane apo vazhdimi i armatimit të pjesëmarrësve në luftë “rrezikon nxitjen e një zjarri të madh rajonal”

Duke folur gjatë sesionit vjeshtor të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, Pillay ka thënë se ende nuk dihet se kush janë përgjegjësit për sulmin kimik në Siri.

Në një intervistë të fundit dhënë një televizioni amerikan, Assad e ka përsëritur se forcat rebele janë përgjegjëse për sulmin. Assadi gjithashtu ka paralajmëruar se nëse Obama vendos që të nis një intervenim ushtarak kundër Sirisë, SHBA-të dhe aleatët e saj duhet “të presin çfarëdo aksioni” si hakmarrje.(a.haraqija)
XS
SM
MD
LG