Ndërlidhjet

logo-print

Bizneset duhet të thyejnë kufijtë


Pamje nga kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë

Pamje nga kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë

Përfaqësues të bizneseve nga Kosova dhe Maqedonia kërkojnë nga autoritetet kompetente të të dyja shteteve që të marrin vendime për tejkalimin e problemeve të fundit që kanë të bëjnë me bllokimin e produkteve maqedonase nga Prishtina zyrtare dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve që dëshirojnë të shkojnë në Maqedoni.

Në një takim të përbashkët në mes Aleancës Kosovare të Biznesit, Odës Ekonomiko maqedonase - bullgare dhe Odës ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, kanë thënë se problemet tregtare të paraqitura në kufijtë mes dy shteteve fqinje po marrin dimensione politike.

Megjithatë, nga situata e krijuar përveç problemeve të lëvizjes së lirë, humbje të mëdha kanë shënuar bizneset, sidomos kompanitë maqedonase, thotë Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit.

Sipas një analize që ka bërë ky asociacion ekonomik, nga dita e hënë, kur ekzekutivi kosovar ka vënë embargo ndaj produkteve maqedonase, kjo e fundit ka humbur 4 milionë e 800 mijë euro, përderisa prodhuesit kosovarë kanë humbur rreth 500 milionë euro, thekson Shahini.

“Ne jemi mbledhur me homologët tanë, të diskutojmë se si të dalim nga ky ngërç tregtar. Kur politika nuk merret vesh, atëherë bizneset i rrënojnë kufijtë. I rrënojnë kufijtë, sepse kështu integrohemi më shpejt, realizojmë një ekonomi të qëndrueshme në Ballkan. Me këto vendime të marra, është shkelur marrëveshja e CEFTA-s. Këtë marrëveshje të dyja shtetet, se cila e ka iniciuar nuk është e rëndësishme, por e rëndësishme është se është thyer marrëveshja”, thotë Shahini

Edhe kryetari i Odës Ekonomiko maqedonase – bullgare, Zore Temelkovski, thekson se politika nuk duhet t’i pengojë interesat e bizneseve, pasi, thotë ai, bizneset krijojnë përfitim.

“Politikanët duan të imponohen mbi ekonominë. Dhe, sot, pa dashur të marr anën se kush i pari filloi bllokadën, është një punë e parëndësishme, është e rëndësishme se kush i pari do të marrë hapin për zhbllokim të kufirit”, thekson Temelkovski.

Situata aktuale favorizon biznese të caktuara në momente të caktuara duke shkaktuar një kaos të përgjithshëm, konsideron Menderes Kuçi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.

Ai, ndërkaq, shprehet se problemet e krijuara tregtare kanë marrë një dimension politik, e që fatkeqësisht, sipas tij, nuk mbron interesat e asnjërit shtet.

“Nxit dhe provokon situata të palakmueshme, të cilat mund të eskalohen edhe në skandale tjera, që ndoshta do të duhej që ndërmjetësues të jashtëm të sjellin për të pajtuar dy fqinj, që në mes vete ishin të akorduar shumë mirë kur dëgjohej zëri i biznesit. Kjo, sepse pikërisht bizneset ishin të parat, të cilat hapën urat hyrëse apo urat e bashkimit të politikanëve të të dyja vendeve”, shprehet Kuçi.

Problemet tregtare filluan kur Shkupi zyrtar ndaloi importin e miellit dhe grurit të prodhuesve kosovarë, ndërsa Prishtina zyrtare, si masë reciprociteti ndaloi hyrjen e të gjitha prodhimeve maqedonase në territorin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG