Ndërlidhjet

Përgjysëmohet vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç


Logo e UNICEF-it
Logo e UNICEF-it
Kombet e Bashkuara raportojnë se vdekshmëria e fëmijëve nën moshën 5-vjeçare është përgjysmuar që nga viti 1990.

Sipas një raporti të ri të fondit të OKB-së për fëmijët, UNICEF, të publikuar sot, rreth 6.6 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeçare kanë vdekur vetëm gjatë vitit të kaluar - më shumë se 18.000 në ditë.

Shkalla më e lartë e vdekshmërisë vjen nga Afrika dhe Azia. Pothuajse gjysma e viktimave janë nga vendet si Nigeria, Kongo, India, Pakistani dhe Kina.

Kombet e Bashkuara bëjnë të ditur se shkaktarët kryesorë të vdekjeve janë sëmundjet si pneumonia, diarrea dhe malaria.

Edhe pse kjo është një rënie e konsiderueshme e shkallës së vdekshmërisë, ajo nuk mjafton për të arritur pritshmëritë e planit të Objektivave të Mileniumit, sipas të cilit, shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve nën moshën 5-vjeçare duhet të ulet për dy të tretat deri në vitin 2015.

Kombet e Bashkuara alarmojnë se 35 milionë fëmijë mund të vdesin kryesisht nga shkaktarë të parandalueshëm në mes të vitit 2015 e 2018, nëse komuniteti botëror nuk ndërmerr hapa të menjëhershëm për parandalimin e këtij trendi.
XS
SM
MD
LG