Ndërlidhjet

Sëmundjet e rralla nuk mund të diagnostikohen në Kosovë. Kjo si pasojë e mungesës së laboratorit të ADN-së. Por, sëmundjet e rralla janë evidente kryesisht 5 pacientë në 10 mijë banorë, bëjnë të ditur profesionistët shëndetësorë.

Ramush Beiqi, pediatër, për Radion Evropa e Lirë thotë se në Kosovë nuk ka laborator në aspektin e studimit të ADN-së dhe kjo e vështirëson punën e diagnostikimit, sepse në moshën fëmijërore sëmundjet e rralla kanë dhe trashëgimi dhe hulumtimi i tyre është tejet i rëndësishëm.

“Në Kosovë nuk bëhen analiza gjenetike. Është shumë i nevojshëm një laborator i tillë, sidomos tash kur ne kemi tendenca të zhvillojmë një mjekësi evropiane dhe ku një numri të madh të sëmundjeve duhet t’ia gjejmë bazën dhe trashëgiminë. Në një anë është se e bëjmë diagnostikimin e sëmundjes, e në anën tjetër do të duhej të bëhej parandalimi ose t’u jepen këshilla familjeve për mundësinë e paraqitjes së ndonjë sëmundjeje gjenetike. Këto analiza, tash për tash, bëhen në qendra të ndryshme evropiane”, thotë Beiqi.

Ndërkohë, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, bëjnë të ditur se tashmë janë identifikuar më shumë se 6 pacientë me një lloj të sëmundjes së rrallë, që njihet si Sëmundja Gausher, derisa tregojnë se njëri nga këta pacientë ka përfituar shërimin falas nga një donacion dhe deri tani trajtimi i ka kushtuar 1.4 milion euro.

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Njazi Gashi, thotë se, tash për tash, të gjitha analizat e ADN-së bëhen në vendet evropiane. Sipas tij, hapja e këtij laboratori në Kosovë është në procedurë.

“Kosova ka nevojë, absolutisht, për një laborator të tillë. Kohëve të fundit Mjekësia Ligjore në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë është në negociata me dekanin e Dekanatit të Mjekësisë Ligjore në Zagreb , dhe është në procedurë e sipër formimi i laboratorit ku mund të hetohet edhe ADN-ja”, thotë Gashi.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, pati deklaruar se laboratori i ADN-së është shumë i nevojshëm dhe me fillim e ciklit buxhetor të vitit 2014, parashihet një laborator i tillë brenda QKUK-së.

Edhe Arsim Gërxhaliu, mjek ligjor, pohon për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka shumë nevojë për një laborator të ADN-së.

“Kosova ka nevojë shumë për një laborator të ADN-së sidomos kur kemi të bëjmë me atësinë dhe amësinë e rasteve të kërkuara, si dhe me rastet tjera, të cilat janë të ndërlidhura direkt me punën e Departamentit të mjekësisë ligjore”.

“Kosova ka shumë nevojë për një laborator të tillë, pasi që kosovarët paguajnë një shumë të majme parash për t’u kryer një analizë, plus në aspektin e kohës kemi një ngecje të madhe”, deklaron Gërxhaliu.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG