Ndërlidhjet

Në Maqedoni arrestohen 17 persona për spiunim


Ilustrim
Ilustrim
Policia e Maqedonisë ka arrestuar 17 persona, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë, nën dyshimet për spiunazh dhe veprimtari të tjera kriminale.

Në mesin e të arrestuarve janë ish-drejtori i Agjencisë kundër pastrimit të parave, Vane Cvetanov, ish-zyrtari i lartë i agjencisë së zbulimit, Ace Dinevski, gjenerali Goran Stojkov, shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Marjan Maxhovski, gazetari Vlladimir Bozhinovski, i cili për momentin ndodhet në arrati, dhe të tjerë.

Të gjithë të arrestuarit dyshohen për spiunim, veprimtari armiqësore, mashtrime dhe shantazhe.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, personat në fjalë, në mënyrë të jashtëligjshme kanë poseduar dhe kanë dhënë informacione të klasifikuara për shërbimet e huaja, me çka kanë vënë në rrezik sigurinë e shtetit.

“Përveç informatave të klasifikuara, personat e arrestuar kanë pasur kontakte edhe me ish-funksionarë, pra me elitën politike, kështu që u kanë dhënë informata të lidhura me sigurinë e përgjithshme, por edhe me gjendjen politike në Maqedoni”, ka deklaruar zëdhënësi Ivo Kotevski.

Ai ka thënë se me siguri bëhet fjalë për aksionin e parë policor të spiunimit jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon.

Ndaj aksionit policor ka reaguar LSDM-ja opozitare, e cila MPB-në e ka quajtur “polici partiake të Nikolla Gruevski”.

Sipas opozitës, “regjimi i Nikolla Gruevskit arreston pasi nuk mund të durojë njerëzit, të cilët në flasin me argumente për kriminalitetimn e klanit familjar të kryeministrit”.
XS
SM
MD
LG