Ndërlidhjet

A kanë cilësi barnat në Kosovë?


Ilustrim
Ilustrim
Cilësia e produkteve farmaceutike në Kosovë, duket të mos jetë në nivelin e duhur.
Kështu thonë zyrtarë në Shoqatën e Farmacistëve. Sipas tyre, institucionet kanë dështuar në ofrimin e garancive apo sigurisë së barnave për pacientët.

Besim Muzaqi, kryetar i kësaj shoqate, thotë se analizat e barnave që hyjnë në Kosovë, nuk bëhen aq sa duhet, duke u bazuar në mostrat e marra të barnave

"Shoqata farmaceutike e Kosovës gjithmonë insiston që të kemi barna sa më të sigurta dhe të garantuara për pacientët. Deri më tash institucionet kanë dështuar në ofrimin e sigurisë së cilësisë së barnave për pacientët dhe kjo, kryesisht si pasojë e laboratorit të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, si dhe sistemit monitorues dhe inspektues të barnave në gjithë Kosovën. Në këtë natyrë mund të bisedojmë që cilësia e barnave le shumë për të dëshiruar në tregun tonë, ku qarkullojnë barnat, qoftë në mënyrë legale apo ilegale", thotë Muzaqi.

E, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se një rol të rëndësishëm për krijim e kushteve të barnave që i marrin pacientët, luan edhe Shoqata e Farmacistëve.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, jep hollësi të tjera:

"Qytetarëve, drejtpërdrejt, pas përshkrimit të mjekut, barnat ua japin farmacistët. Dhe, mos të harrojmë se këtu luan rol të rëndësishëm edhe Shoqata e Farmacistëve dhe ata logjikisht janë pjesë e Shoqatës Farmaceutike e cila duhet të jetë vigjilente që të punojë me komunitetin e tyre dhe të parandalojnë dukuri të ndryshme devijuese".

"Nuk mjafton të akuzohet një institucion që nuk po i përmbushë përgjegjësitë e veta pa e shikuar ndonjëherë veten dhe duke pyetur se çfarë realisht po bën Shoqata e Farmacistëve, a po zhvillon debate dhe në çfarë rruge duhet të jepen barnat dhe çfarë drejtpërdrejt t'u japin pacientëve farmacistët, që janë linja e fundit e dhënies së ilaçeve",
shprehet Hoti.

Ndërkaq, Besim Muzaqi sqaron se në kuadër të AKPM- së ekziston laboratori, ku analizat e barnave do të duhej të bëheshin në baza ditore, derisa kjo, sipas tij, nuk ndodh në Kosovë.

"Në kuadër të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, ekziston laboratori, i cili do të duhej të bënte shumë analiza brenda ditës, por deri tash nuk është përmbushur misioni i këtij laboratori dhe në mënyrë direkte apo indirekte, kjo i prek shumë profesionistë shëndetësorë dhe pacientët", thekson Muzaqi.

Ndërsa Hoti thotë se në këtë laborator janë bërë analiza të barnave në vazhdimësi dhe është përcaktuar se cila është cilësia e barnave në tregun kosovar për shumë kohë.

"Laboratori brenda i AKPM-së, është një prej hallkave të rëndësishme të AKPM-së. E vërteta është se kapacitetet aktuale nuk janë në nivelin që duhet të jenë. Aty ka nevojë të forcohet, qoftë me aparaturë, qoftë me staf profesional, por ky laborator është në zhvillim e sipër. Megjithatë, ky laborator ka kryer analizat e nevojshme që kanë qenë të rëndësishme për të përcaktuar se cila është cilësia e barnave në tregun kosovar, duke marrë mostra të kohëpaskohshme në stoqet farmaceutike", shpjegon Hoti.

Ndryshe, së fundmi, Prokuroria Themelore në Prishtinë, po zhvillon hetime në lidhje me importin e produkteve mjekësore në Republikën e Kosovës, si dhe lëshimin e licencave dhe pajisjen e këtyre produkteve me banderola nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale.

Për vepra penale në lidhje me këto raste, dyshohen, mes të tjerëve, edhe gjashtë zyrtarë të lartë të AKPM-së, përfshirë edhe kryeshefin ekzekutiv, Ilir Dushi dhe 4 doganierë nga Dogana e Kosovës.

Problem tjetër që e theksojnë zyrtarë shëndetësorë, mbetet edhe mosrespektimi i transportit të ilaçeve, e që krijon mundësi në denatyralizimin e tij. Sipas tyre, edhe pse në secilin paketim të ilaçit janë udhëzimet për kushtet e ruajtjes, ajo nuk respektohet.

E, qytetarët thonë se cilësia e barnave në Kosovë është e dyshimtë. Këtë, thonë ata, e kanë dëgjuar edhe nëpërmjet mediave, që në Kosovë hyjnë barna ilegalisht.

"Unë kam dëgjuar edhe përmes mediave që në Kosovë hyjnë barna edhe ilegalisht dhe të bën të dyshosh në cilësinë e barnave. Unë për vete kam mjaft dyshime në cilësinë e barnave", thotë qytetarja Antigona Hajdari.
XS
SM
MD
LG