Ndërlidhjet

Çdo ditë lindin rreth 50 foshnje


Ilustrim
Ilustrim
Në Klinikën gjinekologjike obstetrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, çdo ditë lindin deri në 50 foshnje.

Këtë e thotë Mynavere Hoxha, shefe e njësisë së kujdesit intensiv neonatal.

Zonja Hoxha ndërkaq flet për kushtet që mbretërojnë në Klinikën e neonatologjisë dhe gjinekologjisë e që funksionojnë së bashku për të ofruar shërbime për nënë dhe foshnjën e porsalindur.

"Në Klinikën e neonatologjisë trajtohen foshnjat e shëndosha, ato me probleme të vogla dhe shumë të mëdha, si dhe foshnjat që lindin para kohe. Ne mundohemi që t'i ofrojmë kushtet më të mira sa i përket ofrimit profesional, kujdesit ndaj tyre, trajtimit, shërimit, mirëpo shpeshherë kemi mangësi".

"Na mungojnë dezinfektantët, mungesë e materialit shpenzues për një përdorim, që gjithmonë kemi pasur probleme me furnizim. Nuk ka pasur ujë të ngrohtë shumë gjatë, por tash ka disa përmirësime. Tash na ofrohen edhe letër për një përdorim, e që nëse vazhdon kjo, do të kontribuojnë në uljen e infeksioneve intrahospitalore", bën të ditur Hoxha.

Sipas zonjës Hoxha, çdo vit në njësinë e kujdesit intensiv trajtohen nga rreth 3 mijë fëmijë, derisa 1100 fëmijë lindin para kohe, e që kanë nevojë për kujdes.

Ndërkaq, shkalla e vdekshmërisë se foshnjave në Kosovë në vitin 2000 ka qenë 29 vdekje në 1 mijë lindje, 11 vjet pas, vdekshmëria ka rënë në 17 vdekje në 1 mijë lindje, bëjnë të ditur zyrtarët shëndetësorë.

Sipas ekspertëve shëndetësorë, ushqyeshmëria me qumësht gjiri është njëri nga faktorët që ndikon që foshnja të rritet më i shëndetshëm, se ato foshnjë që ushqehen me qumësht artificial.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, në Kosovë ka luajtur një rol të rëndësishëm në dhënien e informatave dhe trajnimin e stafit shëndetësor, për ta ngritur vetëdijen e nënave të reja që foshnjat e tyre t'i ushqejnë me qumësht gjiri së paku në gjashtë muajt e parë të jetës së tyre.

Agron Gashi, zyrtar në UNICEF, i ka thënë Radios Evropa e Lirë që nga data 1 deri më 7 tetor do të jetë java e ushqyerit me qumësht të gjirit.

"UNICEF në bashkëpunim dhe përkrahje të Ministrisë së Shëndetësisë do të organizojë një seri aktivitetesh për të shënuar javën e të ushqyerit me qumësht gjiri. Gjatë vitit ne organizojmë në vazhdimësi aktivitetet për të ngritur shkathtësinë e punëtorëve shëndetësorë për ushqyerjen e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël më qumësht gjiri. Po ashtu jemi duke implementuar edhe aktivitete të cilat kanë të bëjnë me edukimin shëndetësor përmes vullnetarëve të Kryqit të Kuq".

"Të ushqyerit me qumësht gjiri është shumë i dobishëm për fëmijën dhe nënën. UNICEF-i rekomandon që çdo fëmijë në gjashtë muajt e parë të jetës së tyre të ushqehet vetëm me qumësht gjiri. Kjo sjell dobi te fëmijët sepse sëmuren më pak, kanë më pak alergji, barkqitje si dhe më pak sëmundje të traktit respirator. Ndërkaq, te nëna ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të cilat kanë të bëjnë me çrregullime të gjirit apo të qafës së mitrës", bën të ditur Gashi.

E në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, thonë se interesimi i nënave të reja, të cilat sapo kanë lindur foshnjat e tyre, për tu këshilluar në këtë qendër është shumë i madh.

Myrvete Sopi Dibrani, kryeinfermiere në QKMF, thotë se rreth 80 nëna brenda 12 orëve marrin këshilla për dhënien të qumështit me gji dhe ushqyeshmëri të fëmijëve të tyre.

"Në QKMF, interesimi i nënave është shumë i madh kur dihet që brenda ditës jepen këshilla për më shumë se 40 nëna brenda një ndërrimi. Ne punojmë 12 orë dhe jemi në gatishmëri që t'u ndihmojmë nënave".

"Ne i këshillojmë në demonstrimin e gjidhënies, nënat këshillohen për ushqyerjen e fëmijëve varësisht çfarë i nevojitet fëmijës, ashtu siç e këshillon pediatri, e shumë këshilla të tjera të nevojshme, varësisht nga kërkesat e fëmijëve dhe nënave", shprehet Sopi Dibrani.

Sidoqoftë ministri i Shëndetësisë Ferid Agani është zotuar se synimi i Ministrisë së Shëndetësisë është që të bjerë koeficienti i mortalitetit nën 10, apo 10 të vdekur në 1 mijë foshnje të lindura.
XS
SM
MD
LG