Ndërlidhjet

Obama anulon vizitën në Azi


Barack Obama
Barack Obama
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti Barack Obama ka anuluar udhëtimin në Azi, të paraparë për javën e ardhshme, për shkak të mbylljes së Qeverisë amerikane.

Obama do të humbasë dy samite, përfshirë takimin e Bashkëpunimit Ekonomik në Azi-Paqësor, i cili do të mbahet në Bali të Indonezisë.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka mbyllur të gjitha operacionet joesenciale, pasi dy dhomat e Kongresit kanë dështuar të merren vesh për buxhetin e ri.

“Anulimi i kësaj vizite është një tjetër pasojë e mbylljes së qeverisë. Mbyllja frenon mundësitë tona për të krijuar vende të reja të punës, për të promovuar eksportet amerikane dhe për të avancuar lidershipin dhe interesat amerikanë në rajonin më të madh në zhvillim”, thuhet në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë.

Obama do të niste të shtunën turneun në katër vende të Azisë. Do të merrte pjesë në samitet rajonale në Bali dhe Brunei, para se të udhëtonte drejt Malajzisë dhe Filipineve.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do t’i udhëheqë delegacionet në të gjitha këto vende.

Para se të merrte vendimin për anulim, presidenti Obama ka fajësuar direkt kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, dhe republikanët e këtij organi për mbylljen e qeverisë, duke thënë se ata kanë “makth” nga Programi për Kujdesin Shëndetësor.

Obama ka thënë se i ka kërkuar kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, që të ndalë atë që e ka cilësuar si farsë dhe të lejojë hedhjen në votë të projekt-ligjit për shpenzimet, në mënyrë që të rihapet Qeveria amerikane.

“Miratojeni buxhetin, jepni fund mbylljes së qeverisë dhe parandaloni rënien ekonomike. Mund ta bëni këtë që sot, që t’i kthehemi rritjes së ekonomisë, krijimit të vendeve të reja të punës dhe forcimit të klasës sonë të mesme”, ka thënë Obama.

Mbyllja e pjesshme e Qeverisë amerikane të premten ka hyrë në ditën e katërt. Si pasojë e mbylljes, rreth 800,000 punëtorë të qeverisë janë dërguar në pushim pa pagesë.

Departamenti amerikan i Thesarit ka paralajmëruar pasoja të rënda për ekonominë, nëse ligjvënësit nuk arrijnë të pajtohen për rritjen e kufirit të borxhit shtetëror, për kryerjen e pagesave të shpenzimeve qeveritare.

"Nëse deri në mes të tetorit nuk arrihet asnjë marrëveshje, atëherë pasojat do të jenë fatale, jo vetëm në tregjet financiare, por edhe në tregun e punës, volumin e konsumit dhe rritjen ekonomike", ka thënë ky departament.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se në rast të dështimit për pajtim mes palëve, dollari do të mund të bie edhe më shumë, shkalla e interesit të rritet skajshmërisht dhe pasojat të barten edhe në pjesë të tjera të botës.(v.tela)
XS
SM
MD
LG