Ndërlidhjet

logo-print

Siri: Ekspertët e filluan shkatërrimin e armatimit kimik


Konvoji i makinave të OKB-së me inspektorët e armatimit kimik duke u kthyer nga një kontroll në hotelin e tyre në Damask

Konvoji i makinave të OKB-së me inspektorët e armatimit kimik duke u kthyer nga një kontroll në hotelin e tyre në Damask

Ekspertët e Organizatës për Ndalimin e Armatimit Kimik e kanë filluar shkatërrimin e arsenalit të armatimit kimik të Sirisë.

Ky njoftim është shpallur sot nga një zyrtar i Kombeve të Bashkuara, që punon së bashku me inspektorët nga Organizata për Ndalimin e Armatimit Kimik.

Ky mision ishte formuar sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pas marrëveshjes ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas marrëveshjes, kapacitetet e armatimit kimik të Sirisë duhet të shkatërrohen deri në mesin e vitit 2014.

Qeveria e Sirisë, muajin e kaluar, i ka dhënë detaje Organizatës për Ndalimin e Armatimit Kimik për arsenalin e saj të armatimit kimik.

Njëherësh, presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, i tha revistës gjermane Der Spiegel, se presidenti amerikan, Barack Obama, nuk ka “bile as thashetheme të provave” se forcat siriane kanë përdorë gaz sarin gjatë sulmit më 21 gusht, në një lagje afër kryeqytetit Damask.

Zoti Assad tha se qeveria e Rusisë i ka dhënë atij mbështetje më tepër se kurrë.
XS
SM
MD
LG