Ndërlidhjet

SHBA pranë marrëveshjes fiskale


Harry Reid
Harry Reid
Një marrëveshje dypartiake për rihapjen e Qeverisë amerikane dhe për shmangien e pamundësisë për të paguar këstet e borxhit po diskutohet në Senat, ndërkohë që mbyllja e pjesshme e Qeverisë federale ka hyrë në javën e tretë dhe kanë mbetur dy ditë deri te skadimi i afatit për rritjen e tavanit të borxhit.

Marrëveshja nuk është finalizuar dhe mund të përballet me kundërshtime të mëdha në Dhomën e Përfqësuesve, të kontrolluar nga republikanët, raporton VOA.

Sipas udhëheqësit të shumicës në Senat, Harry Reid, një plan për tejkalimin e ngërçit fiskal të Amerikës shumë shpejt mund të jetë gati për votim.

"Ne kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm. Ende nuk kemi arritur marrëveshje, por një përparim të jashtëzakonshëm dhe të gjithë duhet të jenë të durueshëm", ka thënë Reid.

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, senatori Mitch McConnell, është pajtuar me këtë vlerësim, duke thënë se dy ditët e negociatave kanë dhënë rezultate.

Sipas njoftimeve të mediave, marrëveshja, siç është parashikuar aktualisht, do të financonte Qeverinë federale deri në mes të janarit, do ta rriste tavanin e borxhit deri në shkurt dhe do të përcaktonte bazat për negociatat buxhetore mes dy dhomave të Kongresit nga tani deri në mes të dhjetorit.
XS
SM
MD
LG