Ndërlidhjet

Dhurata amerikane për Iranin, “e rreme”


Ilustrim
Ilustrim
Rrugës për në shtëpi, pas një vizite të bujshme në SHBA, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, po kthehej me një dhuratë speciale, të bërë nga shteti amerikan për popullin iranian.

Por, sado qëllimmirë të ketë qenë dhurata, gëzimi i saj doli të jetë jetëshkurtër.

Ekspertë të artit po thonë se artefakti persian, i vjetër plot 2,700 vjet, e që në fakt po iu kthehet iranianëve pas një kohe të gjatë, nuk është origjinal dhe për rrjedhojë as i vjetër mijëra vjet, siç pretendohet.

Artefakti, që është një kupë argjendi e stilizuar, mendohej të vinte nga shpella Kalmakarra në perëndim të Iranit, dhe besohej të kishte një vlerë prej rreth një milion dollarësh.

Doganat e Shteteve të Bashkuara arritën ta kapnin këtë artefakt nga një iranian, i cili po mundohej ta fuste atë ilegalisht në territorin amerikan në vitin 2003.

Artefakti qëndroi në një depo në Nju Jork, për më shumë se një dekadë, derisa vizita e Rohanit dha mundësinë për ta kthyer atë te populli iranian.

Megjithatë, dhe për fat të keq, sipas Hamid Baqaie, ish-kreu i Organizatës për Trashëgimi Kulturore të Iranit, artefakti është pa asnjë dilemë një prodhim modern falso.

"Së pari, mënyra dhe stili në të cilin është punuar vepra në fjalë, tregon që është false. Ky artefakt nuk ka kurrfarë rrënjësh në Iranin antik. Së dyti, nga pikëpamja teknike, materialet e përdorura, gjithashtu tregojnë se ai nuk është origjinal”, thotë Baqaie.

Arekologu, Oscar Muscarella, një ish-kurator në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju jork, gjithashtu ka thënë se nuk beson që artefakti të jetë origjinal. Vitin e kaluar, ai kishte shkruar në një publikim, se i ishte dashur ta shihte fotografinë e artefaktit për vetëm pak sekonda që të konstatonte se ishte i rremë.

"Është artefakt modern iranian”, kishte shkruar ai në një publikim të organizatës joqeveritare Saving Antiquities for Everyone.

Muscarella, i cili kishte gërmuar në Iran gjatë të 60-tave ka përllogaritur se artefakti nuk mund të jetë më i vjetër se 14 vjet.

Njohësi iranian i trashëgimisë kulturore, Baqaie, thotë se tregu është i mbushur plot me artefakte të rreme, gjoja antike iraniane, disa prej të cilave arrijnë të depërtojnë madje edhe nëpër koleksionet e muzeve në perëndim.

Ai thotë se duke u nisur nga ky fakt, Shtetet e Bashkuara duhej ta dinin se artefakti në fjalë ishte i rremë.

Në Iran, ndërkohë, kthimi i këtij artefakti ishte pritur me shumë ngrohtësi.

"Amerikanët na kontaktuan dhe thanë: ‘Kemi një dhuratë për ju’”, është cituar presidenti Rohani të ketë thënë për mediat më 28 shtator. “Ata na e dhanë artefaktin si një dhuratë të çmuar për popullin iranian”.

Mohammad Ali Najafi, shefi i tanishëm i Organizatës për Trashëgimi Kulturore të Iranit, e zbuloi artefaktin po atë ditë, edhe atë që në aeroport, me të arritur të delegacionit të Rohanit nga Nju Jorku.

Por, derisa Shtetet e Bashkuara kanë thënë përmes një komunikate për shtyp të datës 25 shtator se kthimin e artefaktit e konsiderojnë “një dhuratë për popullin iranian dhe mbarë botën, të cilën SHBA-ja ka nderin ta kthejë aty ku përket”, tash pas këtyre konstatimeve të ekspertëve, Qeveria iraniane ende nuk ka lëshuar ndonjë komunikatë ose qëndrim publik rreth vërtetësisë ose jo të artefaktit. (f.syla)
XS
SM
MD
LG