Ndërlidhjet

logo-print
Prej samitit të Selanikut më 2003, Kosova priti që të hap negociatat për integrimet evropiane, një proces i cili po vlerësohet se do të shënon fillimin e ecjes mbarë të shtetit.

Rrugëtimi dhjetëvjeçar tani del të jetë rrugë pa kthim për Kosovën, sepse nga 28 tetori do të duhet të demonstrojë në praktikë se po i përmbahet kontratës që lidhi me Bashkimin Evropian.

Aspirimi në familjen evropiane sipas kryetarit të komisionit parlamentar për integrime evropiane, Lutfi Haziri tani kërkon rezultate konkrete në terren, ndërsa do të jetë edhe fillimi i domosdoshëm i të mbarës në vend.

“Kushti kryesor, apo kërthiza e krejt këtij procesi është që Kosova duhet të ketë sundim të ligjit. Luftën kundër krimit, korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të luftës ta çoj deri në fund. Sundimi i ligjit nënkupton zbatim të legjislacionit në Kosovë, e jo abuzim me ligjin çfarë po ndodh tash”, thotë Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Prishtina dhe Brukseli nisën të hënën formalisht negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit-MSA.

Në këtë proces do të negociohet në katër terrene, tregtinë, politikën, politika të bashkëpunimit dhe përafrim të legjislacionit.

Sipas njohësit të integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, një ndër gjërat më të rëndësishme lidhur me MSA-në është çështja që në fushën e “kredibilitetit dhe konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës, faktikisht po arrihet një progres.

“Pra tani do të jetë obligim kontraktual i Kosovës që të zbatoj marrëveshjen që do ta arrij, dhe kjo dallon prej herëve të kaluara ku kryesisht ka qenë një vullnet i lirë nëse ata dëshiroj apo jo të ndërmarrin këto reforma”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Muharremi nënvizon edhe se me këtë hap Kosova fiton reputacion shumë më të mirë, qoftë tek organizatat e ndryshme ndërkombëtare, e veçanërisht tek investitorët e huaj.

Rrjedhimisht MSA-ja parimin e parë e ka që të krijojë një hapësirë të përbashkët ekonomike në mes të BE-së dhe shteteve që aspirojnë të bëhen pjesë e këtij unioni.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, në praktikë, Kosova do të fitoj qasje të pakufizuar në tregun e BE-së, përveç në disa kategori që BE-ja do të tentojë t’i mbrojë, dhe prodhuesit kosovar do të kenë qasje dhe do të mund të depërtojnë tek tregu i BE-së, si të ishte një treg vendor.

"Për shembull i kemi sidomos në fushën e prokurimi publik, të drejtën e themelimit, të lëvizjes së mallrave, të cilat duhet të harmonizohen plotësisht me BE-në. Kjo padyshim se do ta ndihmojë ekonominë", thotë Muharremi.

“Bizneset kosovare do mund të themelohen nëpër vendet e BE-së me të drejta të njëjta sikur ato vendore. Padyshim që edhe prodhimtaria, bujqësia dhe shërbimet do përfitojnë nga provizionet e tregtisë së lire, pra, kryesisht ato biznese me kapacitete eksportuese”, vlerëson Shenoll Muharremi.

Në anën tjetër, sipas deputetit Lutfi Haziri, Kosova testin e parë të aspiratës së saj evropiane, do ta ketë me zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Zgjedhjet lokale do të jenë një nga matësit e parë se a do të jenë fer, të lira, dhe nuk guxojnë të manipulohen. Natyrisht se Kosova sa më shumë që detyron progres në sundim të ligjit dhe krijimit të një ambientit të qëndrueshëm, ku qytetari flet e jo pushtetari, atëherë ajo është më afër Bashkimit Evropian”, vlerëson Haziri.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim pritet të fillojë së zbatuari nga pranvera e vitit të ardhshëm, kur Qeveria e Kosovës dhe Brukseli të kenë mbaruar draftin e parë të saj.

Bazuar në praktikat e vendeve të rajonit, Kosova mund të rrugëtoj për 10 vjet derisa të bëhet anëtare e BE-së.
XS
SM
MD
LG