Ndërlidhjet

Opozita paralajmëron kundërshtimin e miratimit të buxhetit për vitin 2014, në formën e propozuar nga qeveria. Votat e tyre kushtëzohen me disa ndryshime në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm.

Sipas tyre, propozim buxheti vitin 2014 është buxhet i mbijetesës dhe jo zhvillimit ekonomik.

Hykmete Bajrami, deputete në Kuvendin e Kosovës, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se kjo parti nuk do të votojë projekt buxhetin, pasi ka zvogëlim të mjeteve për investimet kapitale, ka rritje të mjeteve për mallra dhe shërbime, si dhe ngritje për 24 milionë euro të fondit për asistencë sociale, që sipas saj, konfirmon thellimin e varfërisë në Kosovë.

"Nuk do të votojmë sepse premtimet për investime kapitale nuk kanë gjetur zbatim në buxhet, janë premtuar 700 milionë euro investime kapitale, ndërkaq në kornizën buxhetore për tri vitet e ardhshme, janë vetëm 405 milionë euro në 38 komuna. Kurse ata vetëm në gjashtë komuna i kanë premtuar 700 milionë euro".

"Ndërkaq, për rritje të pagave, siç kanë premtuar, kanë vetëm 48 milionë euro, 18 milionë euro shkojnë për reforma në administratën publike dhe Universitetet e reja që i kanë hapur, 30 milionë mbesin për rritje pagash, që edhe nëse dëshirojnë të rriten pagat në sektorin publik, maksimumi që më mund rrisin pagat është 7 për qind”, thekson Bajrami.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje kundërshton votimin e projekt-buxhetit.

Visar Ymeri, deputet në Kuvendin e Kosovës, e quan buxhet të varfërisë dhe të degradimit ekonomik të vendit.

Ai shprehet se buxheti është fokusuar në projekte ku kanë interes ministrat dhe jo në projekte të zhvillimit i ekonomik.

Sektori i bujqësisë, prodhimtarisë dhe industrisë, sipas tij, janë lënë anash, ndërkaq tërë kapaciteti financiar është drejtuar nga infrastruktura rrugore për të ia përmbushur nevojat, siç thotë Ymeri, ministrave he kompanive “klienteliste” që ata i kanë për rreth.

“Një çështje tjetër që është e papranueshme për ne për këtë buxhet është edhe vazhdimi i fondit për veriun, i cili duket se do të jetë pjesë e secilit buxhet që sponsorizon qeveria Thaçi".

"Ne jemi absolutisht kundër kësaj ndarjeje të parasë publike në vija etnike dhe politike dhe ndarjes se parasë publike për financimin e strukturave ilegale të Serbisë. Këto janë disa nga arsyet që Lëvizja Vetëvendosje është kategorikisht kundër këtij buxheti”, shprehet Ymeri.

Ndërkaq, përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, votat e tyre për miratim të projekt buxhetit i kushtëzojnë më disa ndryshime.

Haki Shatri, këshilltar i grupit parlamentar për ekonomi dhe financa në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se struktura e shpenzimeve të buxhetit është përkeqësuar.

Rënia për 15 për qind e investimeve kapitale krahasuar më buxhetin e këtij viti, nuk garanton një orientim nga zhvillimi por nga konsumi. Në ekonomi si kjo, sipas tij, nuk sjell zhvillim por ngecje.

“Nuk i prezanton asnjë prioritet zhvillimor ky projekt buxhet. Vetëm përmban ato aspekte që lidhen me mbajtë shërbimin civil dhe strukturat qeveritare në disiplinë, me i lënë të kënaqur me një rritje që realisht mund të ndodh vetëm 8 për qind".

"Kurse, sa i përket zhvillimit përparimit, nuk mundëson as në një mënyrë. E nëse flasim për zvogëlim të papunësisë dhe varfërisë, ato as që përmenden dhe as nuk janë në hartë”, thotë Shatri.

Në anën tjetër, Ministri i Financave, Besim Beqaj, thotë se projekt-buxheti për vitin 2014, është hartuar në mënyrë të kujdesshme dhe mundëson realizimin e projekteve të ekzekutivit për zhvillim ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies se qytetarëve.

Ministri Beqaj përsërit faktin se qeveria ka masë monetare të mjaftueshme për vendimin të cilin do ta marrë për rritje të pagave.

“Kur flitet për buxhetin dhe gjendjen ekonomike, Kosova nuk duhet të mbetet e izoluar, por duhet të trajtohet në kontekstin rajonal dhe evropian. Besoi se të gjithë ata njerëz që flasin më kompetencë profesionale për buxhetin dhe ekonominë e dinë se çfarë nënkupton krahasimi më vendet e rajonit. Prandaj, në këtë drejtim unë më plotë kuptimin e fjalës them që jo që jemi buxhet i zhvillimit, por jemi një ndër buxhetet më stabile në nivel rajonal”, thotë Beqa

Të hyrat buxhetore sipas projekt buxhetit të vitit të ardhshëm parashihen të jenë 1 miliard e 458 milionë euro, ndërsa shpenzimet do të arrijnë në 1 miliard e 590 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG